“Po vjen së shpejti” dhe “Ju kemi dhënë paralajmërimet tona” – këto janë disa nga mesazhet e publikuara në gjuhën angleze, më 9 dhe 10 mars, në një kanal të quajtur “HomeLand Justice”, në platformën Telegram.

Ky kanal përfaqëson grupin që ka marrë përgjegjësinë për disa sulme kibernetike ndaj institucioneve të Shqipërisë, që nga viti 2022.

Sulmi më i ri ndodhi të martën, dhe për shënjestër pati postën elektronike të Kuvendit të Shqipërisë.

Këtë e konfirmoi vetë organi ligjvënës shqiptar, i cili tha se sulmi “ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme”.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) bëri të ditur më pas se ka ngritur grupin e punës “për analizimin e rastit dhe ekipet ndodhen në terren duke kryer analizën teknike, si dhe duke ndërmarrë hapat e nevojshëm lidhur me këtë situatë”.

Deri më tani, AKSK-ja nuk ka dalë me ndonjë njoftim që jep hollësi të tjera mbi sulmin apo shkallën e saktë të dëmit.

Kuvendi, ndërkaq, tha se ekipet e tij teknike po punojnë për “rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve”.

Çfarë dihet për “HomeLand Justice”?

“HomeLand Justice”, sipas një analize nga gjiganti amerikan i teknologjisë Microsoft, është i lidhur me Qeverinë iraniane

Në postimet e veta në Telegram, grupi i hakerëve thotë se sulmet ndaj institucioneve të Shqipërisë po bëhen për të dënuar vendimin e tyre për strehimin e grupit opozitar iranian Mojahedin-e-Khalq (MEK), që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit.

“Kur ju i mbështesni terroristët, duhet të dini se do ta paguani çmimin për këtë, në të gjitha aspektet”, thuhet në një nga postimet e këtij grupi, më 10 mars.

Në postime të tjera, grupi akuzon politikanët shqiptarë se po i dëgjojnë “urdhrat e amerikanëve”, si dhe paralajmërojnë se ky sulm është “vetëm maja e ajsbergut”.

Më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e mbështeti operacionin amerikano-izraelit, duke thënë se shteti që ai udhëheq është përballur drejtpërdrejt me “fytyrën barbare të regjimit të Teheranit, përmes agresioneve të tij kibernetike”.

Ekspertë të sigurisë ishin të ndarë rreth asaj nëse prezenca e MEK-ut në Shqipëri rrit rrezikun, apo nuk ka ndikim në sulmet e mundshme nga Irani, pas fillimit të luftës me SHBA-në.

Pas fillimit të luftës në Iran, ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë kanë paralajmëruar se përshkallëzimi i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit rrit rrezikun e sulmeve të mundshme terroriste apo operacioneve të fshehta jashtë zonave tradicionale të konfliktit.

Sipas një analize të publikuar nga revista amerikane The Atlantic, Irani ka përdorur historikisht rrjete dhe metoda të ndryshme për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve, veçanërisht kur përballet me presion të madh politik apo ushtarak, duke përfshirë sulme që burojnë jashtë territorit të Iranit.

Ndërkohë, raportime të gazetës New York Times theksojnë se agjencitë amerikane të inteligjencës po monitorojnë mundësinë që Teherani t’i aktivizojë grupet aleate në rajone të ndryshme për të goditur interesat amerikane ose aleatët e tyre.

Cili është rreziku real në Shqipëri e Kosovë?

Ndonëse Shqipëria ka histori të marrëdhënieve të tensionuara me Iranin, ekspertë të sigurisë mendojnë se pas fillimit të luftës SHBA-Iran ekziston rrezik i konsideruar edhe për vende të tjera.

Eksperti i sigurisë nga Qendra Kosova për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli, thekson se situata aktuale kërkon përgatitje më të madhe institucionale, duke pasur parasysh mënyrën se si Irani ka operuar ndër vite jashtë territorit të tij.

“Dihet botërisht që Irani ka operuar për dekada duke nxitur celula influencuese jashtë vendit, të cilat kanë për qëllim dëmtimin e interesave të vendeve perëndimore”, thotë ai.

Sipas Vrajollit, rreziku potencial për Kosovën dhe Shqipërinë lidhet edhe me orientimin e tyre të qartë politik dhe strategjik drejt aleatëve perëndimorë.

Ai thekson se, për shkak të mbështetjes së hapur ndaj interesave amerikane dhe evropiane, të dy vendet mund të shihen si objektiva të mundshëm të veprimeve indirekte armiqësore.

Megjithatë, ai vlerëson se ndikimi i drejtpërdrejtë iranian në Kosovë dhe në Shqipëri nuk është shumë i theksuar.

“Në këto vende, ndikimi fetar ka ardhur kryesisht nga aktorë të tjerë”, shpjegon Vrajolli, duke shtuar se komunitetet fetare në rajon janë kryesisht të lidhura me traditën sunite, dhe me ndikime nga Turqia apo vende të tjera, e jo me rrymat shiite, që lidhen më shumë me Iranin.

Megjithatë, rreziku nuk mund të përjashtohet plotësisht. Vrajolli paralajmëron se edhe incidente të izoluara mund të shkaktojnë pasoja serioze.

“Një incident i vetëm mund të shkaktojë dhimbje të mëdha, prandaj vigjilenca duhet të jetë e lartë për të parandaluar çdo skenar të mundshëm”, thotë ai.

Vrajolli shton se sulmet kibernetike mbeten një nga rreziqet më reale, duke kujtuar se Irani ka kryer sulme të tilla edhe në periudha kur nuk ka pasur konflikt të hapur.

Duke pasur parasysh këtë, ai mendon se institucionet e Shqipërisë, por edhe ato të Kosovës, duhet të jenë të përgatitura dhe “të mbrojtura” për kërcënime në hapësirën digjitale.

Çfarë po bën Kosova?

Vetëm një ditë pasi nisi lufta në Iran, në Kosovë u zhvillua një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë, e thirrur nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Shefi i ekzekutivit kosovar “ka ritheksuar qëndrimin e qartë të institucioneve të Republikës së Kosovës se qëndrojnë të palëkundura përkrah miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar”, u tha në një komunikatë.

Ndonëse kryeministri tha se Kosova po monitoron nga afër implikimet e mundshme për vendin dhe rajonin, Policia e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse po zbaton ndonjë plan të veçantë mbrojtjeje, pas kësaj situate, si dhe nëse ka pasur ndonjë incident të theksuar të ndërlidhur me të.

Më herët, as Qeveria, as Ministria e Punëve të Brendshme, e as Presidenca e Kosovës nuk iu përgjigjën REL-it mbi implikimet e mundshme apo masat konkrete që mund të merren.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb