Avokati Sokol Hazizaj, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka komentuar vendimmarrjen që pritet të marrë Kuvendi i Shqipërisë lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas Hazizajt, rezultati i votimit të së nesërmes është praktikisht i parashikueshëm, duke pasur parasysh pozicionin e shumicës parlamentare dhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama.

“Mendoj se përgjigja e ditës së nesërme është dhënë tashmë për shkak të mbledhjes që mbajti kryeministri. Nuk ka ndonjë çudi në kuptimin teknik dhe formal të vendimmarrjes së Kuvendit sa kohë që mazhoranca e tanishme është e karakterit cilësues të Kuvendit të Shqipërisë,” u shpreh Hazizaj.

Hazizaj theksoi se në kushtet e një mazhorance absolute në Parlament, nuk ka pritshmëri për një vendim ndryshe nga shumica.

“Në kushtet e një mazhorance absolute që ka marrë grupi parlamentar i Rilindjes nuk ka asnjë pritshmëri për vendimmarrjen. Ajo bie në kundërshtim me precedentët e krijuar deri tani nga Kuvendi për dhënien e autorizimit për arrestimin që ka kërkuar prokuroria,” deklaroi ai.

Sipas tij, një vendim i tillë do të tregonte karakterin e një shumice të fortë parlamentare, ndërsa shtoi se kjo situatë nuk përbën domosdoshmërisht një mbrojtje reale për Ballukun.

“Mendoj se kjo vendimmarrje nuk i krijon Ballukut ndonjë mbrojtje të karakterit individual. Do të ishte më mirë që çdo subjekt të ballafaqohej me procesin, sepse sa më serioz të jetë në proces aq më e rëndësishme do të ishte për këdo në raport me reformën në drejtësi të miratuar në vitin 2016,” përfundoi Hazizaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb