Rreth 18,000 banorë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në qendër të  Dresdenit pasi një bombë e Luftës së Dytë Botërore u zbulua në brigjet e lumit Elba, në evakuimin më të madh të tillë të kryer ndonjëherë në qytetin lindor të Gjermanisë.

Ekspertët e eksplozivëve çaktivizuan një bombë britanike prej 250 kg që u zbulua të mërkurën gjatë punimeve në një urë që u shemb në vitin 2024.

Operacioni filloi rreth orës 9 të mëngjesit me pjesëmarrjen e më shumë se 400 oficerëve të policisë, një helikopteri dhe një droni. Qëllimi ishte të sigurohej që shtëpitë, dyqanet, shkollat, azilet e pleqve dhe zyrat brenda një rrezeje prej një kilometri të evakuoheshin. Ndër ndërtesat e prekura ishin ndërtesa historike të Dresdenit, të tilla si Pallati Zwinger dhe Kisha Frauenkirche.

Siç njoftoi policia, bomba e neutralizuar do të transportohet në një qendër të specializuar për shkatërrim.

Në janar dhe gusht 2025, bomba nga epoka e Luftës së Dytë Botërore u gjetën dhe u çaktivizuan gjithashtu në Dresden, i cili u bombardua pa mëshirë nga Aleatët më 13-14 shkurt 1945.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb