Shtetet e Bashkuara të mërkurën i paralajmëruan iranianët se i konsiderojnë portet civile në Ngushticën e Hormuzit si objektiva legjitime, duke pretenduar se qeveria e Teheranit po i përdorte këto objekte për operacione ushtarake.
“Regjimi iranian po përdor portet civile përgjatë Ngushticës së Hormuzit për të kryer operacione ushtarake që kërcënojnë transportin detar ndërkombëtar”, tha ushtria amerikane në një deklaratë.
“Portet civile të përdorura për qëllime ushtarake humbasin statusin e mbrojtjes dhe bëhen objektiva legjitime ushtarake sipas ligjit ndërkombëtar.”
Ajo u bëri thirrje “civilëve në Iran që të shmangin menjëherë të gjitha strukturat portuale ku operojnë forcat detare iraniane”.
“Punonjësit e portit iranianë, personeli administrativ dhe ekuipazhet e anijeve tregtare duhet të shmangin anijet detare dhe pajisjet ushtarake iraniane.”
Të martën, Shtetet e Bashkuara thanë se kishin kryer sulme që shkatërruan 16 anije minuese që mund të ishin përdorur për të bllokuar ngushticën, një rrugë detare jetësore për eksportet e naftës dhe gazit të Gjirit.
