Në takimin me vendet anëtare mbi Planin e Përshpejtimit të Barazisë Gjinore të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala konfirmoi angazhimin e fortë të Shqipërisë për të çuar përpara politikat dhe reformat që fuqizojnë gratë dhe vajzat në vend.
Në fjalën e saj, ministrja theksoi se barazia gjinore është një prioritet i qartë i qeverisë shqiptare dhe një element kyç në procesin e zhvillimit demokratik dhe në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ajo vlerësoi gjithashtu rëndësinë e Profilit të Barazisë Gjinore për Shqipërinë, të hartuar në bashkëpunim me sistemin e Kombeve të Bashkuara dhe partnerët kombëtarë, i cili ofron një analizë të detajuar të progresit të arritur dhe sfidave që mbeten përpara.
Ministrja nënvizoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në rritjen e përfaqësimit të grave në jetën publike, në aksesin në arsim dhe në forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna.
Në të njëjtën kohë, ajo theksoi se qeveria mbetet e angazhuar për të adresuar sfida të tjera të rëndësishme, si fuqizimi ekonomik i grave, shpërndarja më e drejtë e përgjegjësive të kujdesit të papaguar dhe lufta kundër të gjitha formave të dhunës, përfshirë edhe ato që shfaqen në hapësirat digjitale.
“Barazia gjinore nuk është një privilegj i dhënë nga një gjini tek tjetra. Ajo është një e drejtë themelore e njeriut dhe një investim i mençur për zhvillimin e shoqërisë. Shoqëritë që fuqizojnë gratë dhe vajzat ndërtojnë ekonomi më të forta, institucione më gjithëpërfshirëse dhe demokraci më të qëndrueshme,” u shpreh ministrja në përfundim të fjalës së saj.
Në këtë drejtim, ministrja përmendi edhe reformat e fundit ligjore të ndërmarra nga Shqipëria, përfshirë Ligjin e ri për Barazinë Gjinore, i cili forcon përgjegjshmërinë institucionale dhe njeh vlerën ekonomike dhe sociale të punës së kujdesit të papaguar, si dhe Ligjin e ri për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna dhe Dhuna në Familje, që zgjeron mekanizmat e mbrojtjes dhe reagimit institucional.
Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe vendas, duke vlerësuar rolin e Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura në avancimin e politikave dhe shërbimeve për barazinë gjinore në Shqipëri.
