Analisti Afrim Osmani, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe raportin mes politikës dhe drejtësisë, pas votimit në Kuvend ku mazhoranca e drejtuar nga kryeministri Edi Rama nuk autorizoi SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas Osmanit, është e rëndësishme të kuptohet situata e vështirë në të cilën ndodhet qeveria për shkak të problemeve që lidhen me mënyrën se si kanë funksionuar proceset dhe vendimmarrjet.

“Është e rëndësishme të kuptojmë situatën e vështirë që ka qeveria me problemet e forta që ka. Mënyra dhe ajo që vetë kryeministri ka thënë në krye të herës, proceset e kanë problemin, jo individët. Këtu proceset kanë krijuar probleme dhe janë kthyer në mënyra funksionimi dhe gjuhë komunikimi e qeverisë”, u shpreh ai.

Osmani theksoi se kjo situatë përbën një terren të favorshëm për opozitën, por sipas tij denoncimet politike nuk mjaftojnë, pasi hetimet dhe zbulimi i aferave po kryhen nga drejtësia.

“Ky është terreni i duhur për një opozitë. Nuk mjafton vetëm denoncimi, sepse atë e bën SPAK në mënyrë të përkryer. SPAK po tregon rolin e një opozite të vërtetë sepse po futet dhe po bën qelizën e gjithë raporteve në qeveri”, tha analisti.

Ai shtoi se hetimet e SPAK po analizojnë mënyrën se si janë marrë vendimmarrjet në qeveri, përfshirë proceset e tenderimeve dhe bashkëpunimet mes institucioneve.

Sipas Osmanit, ndërsa drejtësia po vijon hetimet, opozita ka përpara një detyrë të rëndësishme politike për të bindur qytetarët dhe për të ndërtuar mbështetje më të gjerë.

“Do të doja që opozita të mos e kishte nervin vetëm te molotovët, por si çdo forcë që konkurron politikisht, duhet të arrijë ta bëjë shumicë atë pjesë të popullit që përfaqëson”, përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb