Zyrtarët më të lartë ekonomikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Kinës do të zhvillojnë bisedime në Paris më 15-16 mars, njoftoi Departamenti amerikan i Thesarit, në prag të takimit të planifikuar mes presidentit Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping në prill.
Sipas njoftimit, sekretari amerikan i Thesarit Scott Bessent do të takohet në Francë me zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng, ndërsa në bisedime pritet të marrë pjesë edhe përfaqësuesi amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer.
Bessent tha se dialogu tregtar dhe ekonomik mes dy vendeve po ecën përpara falë marrëdhënieve të respektit të ndërsjellë mes dy liderëve.
Takimi shihet gjerësisht si një hap përgatitor për vizitën e presidentitTrump në Pekin, ku ai pritet të takohet me Xi Jinping. Ekspertët vlerësojnë se bisedimet synojnë të përgatisin marrëveshje apo arritje konkrete në fushën ekonomike dhe tregtare, të cilat mund të shpallen gjatë samitit të liderëve.
Këto zhvillime vijnë pas një viti të trazuar në marrëdhëniet ekonomike SHBA-Kinë, pasi të dyja palët u përfshinë në një përshkallëzim tarifash vitin e kaluar, duke çuar përkohësisht në bllokimin e tregtisë mes tyre. Megjithatë, tensionet u zbutën më vonë, duke hapur rrugë për rifillimin e dialogut.
