Kryetari i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, përmes një deklarate për mediat nga sheshi para Kryeministrisë ku po proteston prej 96 ditësh, tha se po përndiqet politikisht nga policia politike e Edi Ramës.
Lapaj tha se kjo është hera e 6-të që ai procedohet penalisht për një total 14 veprash penale.
“Sapo mësova se policia politike e Edi Ramës, më ka kallëzuar dhe po më përndjek politikisht vetëm se kemi si qytetarë guximin për tu thënë të vërtetën e madhe: ata po na vjedhin, ata janë qeveria më hajdute që mund të ekzistonte.
Policia politike e Edi Ramës, në 13 vitet e qeverisjes së tij, nuk ka patur guximin të çojë qoftë dhe një ministër të vetëm në prokurori për gjithë këtë maskaradë dhe hajdutëri të madhe. Por gjen letër dhe kohë për të proceduar penalisht qytetarët që nuk dakordësojnë me vjedhjen që na bëhet. Ata do të rrëzohen një nga një në të gjitha shkallët e sistemit të drejtësisë sepse ne e kemi të drejtën dhe Kushtetutën me vete.
