Vendimi për ndalimin e përdorimit të monopatinave ka nxitur debate të forta në media dhe mes ekspertëve ligjorë, ndërsa çështja është çuar në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.
Në emisionin “News24 Fundjavë” me Megi Latifin, aktivisti Gevio Tabaku tha se heqja e monopatinave i detyron qytetarët të përdorin makina, duke rënduar trafikun në Tiranë. Ai shtoi se ndalimi duhet të targetojë vetëm përdoruesit që shkelin rregullat dhe nuk respektojnë sigurinë rrugore.
Ndërsa avokati Gent Serjanaj, drejtues i Organizatës “Drejtësi Sociale”, kritikoi procedurën e bllokimit.
“Kur u bllokuan monopatinat nuk kishte vendim të botuar në Fletoren Zyrtare. Mijëra monopatina u bllokuan menjëherë pas deklaratës së ministres, pa asnjë bazë zyrtare”, tha ai.
Avokati ngre dyshime se palë të treta mund të kenë kërkuar heqjen e monopatinave nga qarkullimi.
“Koha po tregon që nuk ishte vërtetë qëllim rregullimi I situatës sepse edhe pas 5 muajsh nuk ka një grup pune që të dalë me një draft se si do të rregullohet. Udhëzimi parashikon që do të rikthehen në qarkullim pas rregullimeve ligjore.
Na lind dyshimi që palë të treta kanë kërkuar që të hiqen nga qarkullimi monopatinat”, tha ai.
