Piloti italian Kimi Antonelli fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Kinës në Formula 1, suksesi i parë në karrierë për pilotin 19-vjeçar të Mercedes, duke shkruar historinë e Formula 1. Ai e nisi garën nga “pole” dhe e ruajti vendin e parë deri në fund të garës, duke treguar një pjekuri të admirueshme për moshën e tij. Në vendin e dytë u rendit shoku i tij i skuadrës, britaniku George Russell, që në gjysmën e parë të garës u përball me dy makinat Ferrari, duke humbur mjaft kohë edhe për shkak të makinës së sigurisë. Gjithsesi, britaniku ruan kreun e renditjes provizore.
Në podium u ngjit edhe Lewis Hamilton, i treti me makinën Ferrari. Hamilton rikthehet në podium pas më shumë se një viti, i pari me Ferrari, pas një beteje të fortë me shokun e tij të skuadrës Charles Leclerc, i katërti. Dy makinat Ferrari u përpoqën të duelojnë të paktën me Russell, por në gjysmën e dytë të garës makinat Mercedes u shkëputën, duke korrur një tjetër triumf të dyfishtë. Një garë për t’u harruar për dy makinat McLaren, që nuk zhvilluan asnjë xhiro. Si Norris ashtu dhe Piastri patën probleme mekanike dhe nuk dolën farë në startin e garës, një dështim kampionët e botës.
Pa pikë e mbyll garën edhe Max Verstappen, që u tërhoq 10 xhiro nga fundi për probleme elektrike. Kimi Antonelli është piloti i dytë më i ri që fiton një garë të Formula 1. Në zonën e pikëve, pas Leclerc, u ngjitën edhe Berman (Haas), Gasly (Alpine), Lawson (RB), Hadjar (Red Bull), Sainz Williams) dhe Colapinto (Alpine). Shtatë makina nuk e mbyllën dot garën. Gara e radhës do të jetë në Japoni.
