Alban Hoxha nuk është i gatshëm për Partizanin sot. Kapiteni i “demave” nuk ndodhet as në stol, ndërsa “Panorama Sport” mëson se bëhet fjalë për dëmtim.
Vendin e Hoxhës e ka marrë Darius Zadeja. Ky i fundit është vetëm 18 vjeç dhe në futboll e niste me moshat e Tiranës. Tashmë është pjesë e ekipit U-19 të Partizanit, që synon fitimin e kampionatit.
Zadeja po ashtu mori ftesën e Kombëtares U-19 në vitin 2025. Megjithatë, për të nuk pati minuta.
Dëmtimi i Hoxhës e ka kapur të papërgatitur Partizanin ku Pano Qirko është titullar. Më parë kishte Skander Tahrin si alternativë, që tashmë si i huazuar po bën mjaft mirë me Luftëtarin.
