Shqetësim i madh te Vllaznia pas ndeshjes së fundit ndaj Egnatias në Rrogozhinë është lëndimi i një prej futbollistëve më kryesorë të skuadrës. Lirim Kastrati, u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një dëmtimi.
Kosovari u dëmtua në minutat e fundit të pjesës së parë, në një moment që menjëherë ngriti alarmin te stafi teknik dhe mjekësor i skuadrës kuqeblu. 27-vjeçari u pa qartë i shqetësuar pas kontaktit në fushë dhe nuk ishte në gjendje të vazhdonte lojën, duke u zëvendësuar menjëherë. Pamjet e para dhe reagimi i futbollistit lanë të kuptohej se mund të bëhej fjalë për një dëmtim jo të lehtë, çka ka shtuar ankthin brenda kampit shkodran në pritje të rezultateve më të sakta mjekësore.
Te Vllaznia ekziston frika se Kastrati mund të mungojë për disa javë, një skenar që do të ishte një goditje e ndjeshme për ekipin në këtë fazë shumë të rëndësishme të sezonit. Sulmuesi i krahut ka qenë një nga elementët më të spikatur të skuadrës, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në repartin ofensiv me shpejtësinë dhe depërtimet e tij.
Mungesa e tij eventuale do të vinte në një moment delikat për objektivat e klubit shkodran, që synon të mbetet konkurrues në fazën vendimtare të kampionatit. Stafi teknik shpreson që dëmtimi të mos rezultojë serioz, pasi Kastrati konsiderohet një nga armët kryesore të skuadrës në lojën në krahë. Megjithatë, diagnoza përfundimtare pritet të përcaktohet në fillim të kësaj jave, kur futbollisti do t’i nënshtrohet ekzaminimeve më të detajuara mjekësore.
Vetëm pas këtyre testeve do të bëhet e qartë shkalla e dëmtimit dhe koha e rikuperimit për ish-futbollistin e Dinamo Zagreb, i cili shpreson të rikthehet sa më shpejt në fushë për të ndihmuar Vllazninë në objektivat e saj.
