Pianisti i ri 24-vjeçar Kostandin Tashko, finalist i dy prej konkurseve më prestigjioze në botë për piano, vjen në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Pasi ka performuar në disa nga sallat më prestigjioze ndërkombëtare në Venecia, Vjenë, Ljubljanë, Verona, Trieste, Londër etj, ai interpreton në Tiranë, pjesë nga Prokofiev dhe Rachmaninoff.
“Për mua është kënaqësi që të vij në TKOB e të luaj për herë të parë. Dhe për këtë rast, do të luaj koncerti nr.2 të Prokofiev për piano dhe orkestër dhe është një pjesë jo shumë e njohur për publikun këtu në Shqipëri. Jam kurioz si do e presë publiku”, tha Tashko.

Në moshën 24-vjeçare është ndër artistët më të rinj shqiptarë të emëruar profesor në konservatorët muzikore italianë. Ai është autor i dy albumeve solistike, ndërsa albumi i tij i fundit është transmetuar ne RAI Radio 3.
“Unë jam pedagog prej 5 vitesh në Itali dhe për mua prioritet im mbetet të performoj, është sfidë edhe për dirigjenti edhe për orkestrën, sidomos ky koncert, është shumë impenjativ. Profesioni i pianistit është në majën e piramidës për nga vështirësia, sepse mundësitë nuk janë të shumta dhe duhet punë e gjatë që nis që në bankat e shkollës fillore. Dhe me kalimin e kohës arrin objektiva më madhorë, që të performosh në skenë”, tha Tashko.
I lindur dhe rritur në Tiranë, fillimisht përfundoi studimet në Liceun Artistik. Pas diplomimit në Trieste ai ka ndjekur kurse në Londër, Grac, etj, ndërsa ka nisur një karrierë premtuese.
