Fatmira Nikolli

Misioni Arkeologjik “Foinike” që gërmon në Finiq prej vitesh, ka publikuar një pyetje që i bëhet shpesh duke dhënë edhe përgjigjen për të- të argumentuar me të dhëna historike. Çështja prek thembrën e Akilit për studimet shqiptare dhe përkatësinë, shpesh të debatuar për shkak të pretendimeve.

E thjeshtëzuar dhe e relativizuar, çështja që shtrohet është: Finiqi ‘shqiptar’ apo ‘grek’, por në prizmin e studimeve pyetja është më e komplikuar për shkak të nocioneve të tjera mbi kufijtë në lashtësi.

“U pyetëm, Epiri është Shqipëri apo Greqi? Një pyetje e dobishme, por duhet kuptuar mirë. Në lashtësi Epiri ishte një rajon i madh i botës greke, i hapur drejt Detit Jon; sot territori i tij historik ndahet midis Greqisë veriperëndimore dhe Shqipërisë jugore. Për këtë arsye nuk përkon plotësisht me një shtet modern”, thuhet në publikim.

Sipas Misionit Arkeologjik të Foinikes “Brenda Epirit të lashtë jetonin disa komunitete dhe popuj. Ndër ta ishin Kaonët, të cilët banonin pjesën veriperëndimore të rajonit: Kaonia. Pra ishte një zonë e Epirit, jo një realitet i veçantë, me qendra të rëndësishme si Butroti dhe Phoinike”, thuhet më tej.

Sipas faqes se misionit arkeologjik, “Phoinike, e quajtur edhe Fenice, ishte një nga qytetet kryesore të Kaonisë dhe në periudhën helenistike pati një rol politik të rëndësishëm. Burimet e përmendin si një qendër të rëndësishme të Epirit dhe ndodhej në një pozicion strategjik midis brendësisë dhe bregdetit”. Në vijim të postimit, misioni shkruan se sot siti i Phoinike ndodhet në Shqipërinë jugore, pranë Finiqit, jo larg Sarandës. “Për t’u orientuar: Epiri është rajoni historik;

Kaonia është një pjesë e tij; Phoinike është një qytet i Kaonisë. Në periudhën romake zona u organizua ne provincat Epirus, Vetus dhe Epirus Nova”, mbyllet postimi.
Misioni arkeologjik shqiptaro-italian gërmon prej vitesh në qytetin antik mbi kodër, duke nxjerrë në dritë struktura e shtresëzime qytetërimesh nga nëntoka e Phoinikes së vjetër, që ngrihet lart, mbi Finiq- vendbanimi i ri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb