Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla ka prezantuar projekt rezolutën e propozuar nga socialistët në lidhje me Iranin.
Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, Balla u shpreh se lufta ndaj terrorizmit është lufta për sigurinë globale dhe shtetin e së drejtës.
“Sot Kuvendi është ftuar të miratojë një rezolutë që lidhet me çështjet më të rëndësishme të rendit global dhe sigurisë, lufta ndaj terrorizmit dhe përgjegjësia e shteteve që e mbështesin. Terrorizmi nuk është vetëm akt dhune por minim i rendit demokratik. Godet civilët, institucionet dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar rendi.
Lufta ndaj terrorizmit, është betejë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Shqipëria mbetet një shtet i qartë dhe i pa lëkundur në këtë luftë duke zgjedhur anën e shtetit të së drejtës. Sulmi i rëndë i vitit 2022 ndaj institucioneve të Republikës së Shqipërisë, ishte një nga episodet agresive ndaj një shteti sovran. Tentoi të dëmtonte funksionimin e institucioneve. Shumë përpjekje janë parandaluar dhe zbuluar në kohë. Pak ditë më parë përsëri Kuvendi i Shqipërisë ishte shënjestër e një sulmi të ri kibernetik. Këto janë akte të mirëfillta armiqësore. Rezoluta për të cilën ftohemi ta diskutojmë synojnë të adresojë këtë realitet. Synojmë të dënojmë në mënyrë të qartë çdo formë të mbështetjes së agresionit. Të shpallim Gardën Revolucionare të Iranit, organizatë terroriste.”, tha ai.
