Këtë të premte Egnatia do të luajë në transfer të ndaj Elbasanit, në një përballje që pritet të jetë mjaft e luftuar.Për rrogozhinasit, kjo ndeshje ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për pikët në renditje, por edhe për të ndryshuar një tendencë që është përsëritur disa herë gjatë këtij sezoni. Shifrat tregojnë se kampionët nuk kanë arritur të “ndezin” menjëherë në fillimin e fazave të kampionatit. Në dy ndeshjet e para të secilës prej tri fazave të kaluara, Egnatia ka grumbulluar vetëm një pikë. Bilanci ka qenë i njëjtë në çdo rast: një barazim dhe një humbje. Një statistikë që, ndonëse mund të jetë edhe rastësi, tregon se fillimi i çdo faze nuk ka qenë momenti më i mirë për skuadrën nga Rrogozhina.

START I VËSHTIRË – Në fakt, edhe këtë herë situata nuk ka qenë e lehtë për kampionët. Në dy ndeshjet e para të fazës aktuale, kalendari i ka vendosur përballë dy skuadra që kryesojnë renditjen në atë moment. Fillimisht përballë Vllaznisë dhe më pas ndaj Elbasanit. Një short i tillë e bën të kuptueshme edhe vështirësinë për të marrë rezultate të menjëhershme. Kur përballë ke skuadra që luftojnë për zonat e para, çdo ndeshje bëhet më e komplikuar. Megjithatë, për një ekip që vjen si kampion në fuqi, pritshmëritë janë gjithmonë të larta dhe çdo ndeshje shikohet si mundësi për të treguar forcën dhe vazhdimësinë e projektit sportiv.

TABU PËR T’U THYER – Për ekipin e drejtuar nga trajneri Edlir Tetova , ndeshja në Elbasan mund të shërbejë si moment kthese. Nëse rrogozhinasit arrijnë të fitojnë apo edhe të marrin një barazim, atëherë do të arrinin të thyenin një statistikë të përsëritur gjatë këtij sezoni: të marrin më shumë se një pikë në dy ndeshjet e para të një faze. Një rezultat pozitiv do të kishte peshë jo vetëm në aspektin statistikor, por edhe në atë psikologjik. Do të ishte një sinjal reagimi nga kampionët dhe një tregues se skuadra është gati të rikthejë ritmin e saj në kampionat. Në çdo rast, sfida e së premtes pritet të jetë një provë karakteri për kampionët, të cilët do të synojnë të tregojnë se statistikat janë bërë për t’u ndryshuar dhe se Egnatia mbetet një nga skuadrat më konkurruese të kampionatit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb