Dy gola të Igball Jasharit e ndihmuan Drenicën drejt një fitoreje të rëndësishme kundër Malishevës (4:2). Ndeshja u zhvillua të martën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj dhe i takoi javës së 25-të të AlbiMall Superligës së Kosovës në futboll. Jashari e hapi serinë e golave në minutën e 35-të. Diatta Asanne barazoi shifrat tre minuta më vonë. Ndërkohë, finishi i takimit prodhoi katër gola tjerë. Jashari riktheu epërsinë në minutën e 80-të. Kreshnik Uka e shtoi epërsinë në 3:1 në minutën e 83-të. Por, Malisheva reagoi shpejt përmes Mevlan Zekës (85’). Megjithatë, kuqezinjtë vetëm dy minuta më pas shënuan edhe golin e katërt, përmes Andi Veliqit, me të cilin edhe vulosën fitoren. Edhe pas kësaj fitoreje Drenica mbetet e parafundit, por tani me 28 pikë, ndërsa Malisheva pozicionohet e katërta me 37 pikë.
Fitore të rëndësishme në garën për mbijetesë realizoi edhe Ferizaj, që para tifozëve të vet e mposhti me rezultat bindës Prishtinën, 3:0. Ade Oguns (39’), Ruben Silva Richards (63’) dhe Jakup Berisha (90’+4’) shënuan golat për skuadrën e Nevil Dedës. Pas kësaj fitoreje Ferizaj mban pozitën e tetë, me 29 pikë, aq sa ka Llapi në vendin e shtatë. Ndërkohë, Prishtina, e cila ndodhet në seri prej pesë ndeshjeve pa fitore mbetet e treta me 38 pikë.
Tri ndeshjet e tjera të kësaj jave zhvillohen të mërkurën, e ku takohen: Prishtina e Re – Ballkani, Drita – Dukagjini dhe Llapi – Gjilani.
