Dokumentari “Në Shënjestër” News24 ka hedhur dritë mbi rrjetin ndërkombëtar të trafikut të kokainës të udhëhequr nga shqiptarët, duke u fokusuar te Eldi Dizdari dhe bashkëpunëtorët e tij, si Dritan Rexhepi dhe Dritan Gjika.

Përmes vendimeve gjyqësore dhe hetimeve ndërkombëtare, dokumentari tregon se organizata e Dizdarit, “Kompania Bello”, ka pushtuar tregjet italiane dhe evropiane, duke përdorur struktura hierarkike, korrierë ndërkombëtarë, depo të fshehta dhe pseudonime për të shmangur autoritetet. Sekuestrime të shumta parash dhe drogë kanë dokumentuar fuqinë e kësaj organizate dhe mënyrën e menaxhimit të fitimeve, që investoheshin edhe në Dubai.

Dritan Rexhepi, i ekstraduar nga Turqia, dhe Dizdari që operon nga Dubai, përdorin kompanitë ligjore për të fshehur pasuritë e krijuara nga trafiku i drogës. Gjika, një tjetër shqiptar i fuqishëm në këtë rrjet, ka përdorur kompani në Ekuador për pastrimin e miliona dollarëve dhe për eksportin e kokainës drejt Evropës. Hetimet zbulojnë se ai ka grumbulluar pasuri të mëdha dhe vazhdon të strehohet në Dubai, duke shfrytëzuar ligjet lokale dhe mbrojtjen që ofron vendi.

Ekspertët nënvizojnë se Dubai funksionon si një qendër financiare dhe juridike për krimin ndërkombëtar shqiptar, ku investimet, mbrojtja dhe luksi janë të mundshme falë strukturave të sofistikuara të krimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Pjesë nga dokumentari:

Por për t’iu kthyer lidershipit të Eldi Dizdarit në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe bashkëpunimit të tij me Dritan Rexhepin, edhe ky një nga shqiptarët më të njohur në botën e drogës, është me interes të shikohet mënyra se si ‘Kompania Bello’ funksiononte.

Dhe se si kjo kompani kishte pushtuar edhe Italinë me kokainë.

Tablo të cilën e paraqet shumë mirë ky vendim i Gjykatës së Firences, ku në krye të punëve të sindikatës së Dizdarit, është Dritan Rexhepi.

46-vjeçari, i cili në janarin e vitit 2025, u ekstradua nga Turqia në Shqipëri, ku po gjykohet për urdhërimin, rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020, pas një mosmarrëveshjeje në trafikun e narkotikëve me vëllain e tij, si dhe për një vrasje të ndodhur në Krujë në vitin 1999.

Po kështu edhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal si dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Por që për t’u ndalur te vendimi i gjykatës së Firences është me interes të ndalemi te mënyra se si organizata me 29 anëtarë funksiononte.

Gjykata e Firences: “Hetimet kanë zbuluar ekzistencën e një organizate kriminale të strukturuar, e cila është e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, kryesisht kokainë, nga Amerika e Jugut me aktivitet të shtrirë në disa vende të Europës.

Kjo organizatë sipas hetimeve të kryera operon kryesisht në Itali, Holandë, Shqipëri si edhe në disa vende të tjera evropiane.

Midis dhjetra emrave të përfshirë, ai që dallon në krye të listës së të hetuarve është  Dritan Rexhepi, që njihet edhe si drejtuesi i ‘Kartelit Shqiptar’.

Ndërsa droga pasi vinte në Itali shpërndahej në territorin italian përmes një rrjeti të organizuar që kishte strukturë hierarkike, ndarje të qartë të roleve si dhe sistem të brendshëm discipline.

Ku anëtarët e saj merreshin me importimin e kokainës, transportin ndërkombëtar, ruajtjen në depo të fshehta, si dhe shpërndarjen në territorin italian.

Ndërsa fitimet e trafikut përdoreshin për financimin e aktivitetit kriminal, pagesën e anëtarëve të organizatës si dhe mbështetjen e familjeve të anëtarëve të arrestuar”.

Por ato që çuan në arrestimin e anëtarëve të ‘Kompania Bello’ të drejtuar nga Eldi Dizdari që dirigjonte operacionet nga Dubai dhe Dritan Rexhepit që i ekzekutonte në Ekuador, ishin disa episode të trafikimit të kokainës të ndodhura në zonën e Firences në Itali.

Gjykata e Firences: “Zakonisht Organizata përdorte korrierë ndërkombëtarë, automjete me kompartimente të modifikuara, depo të fshehta për ruajtjen e drogës si dhe telefona dhe pseudonime për komunikim me qëllim për të shmangur zbulimin nga autoritetet.

Një nga këto episode të trafikimit të drogës është edhe ai në Gallarate, ku u sekuestruan rreth 8 kilogramë kokainë, të transportuara nga Holanda në Itali.Ndërsa në një tjetër episod, rreth 2 kilogramë kokainë u transportuan drejt Milanos”.

Por siç do të shikohet edhe në vazhdim, këto nuk do të ishin të vetmet episode ku policia italiane mundi të kapë sasitë e kokainës që rridhnin nga trafiku ndërkombëtar i kokainës i organizuar nga Eldi Dizdari në bashkëpunim me Dritan Rexhepin dhe grupin e tij të zgjeruar të bashkëpunëtorëve shqiptarë.Pasi në raste të ngjashme ishin kapur edhe sasi të tjera në dukje të vogla në raport me tonelatat e kokainës që këtë kohë kishin përmbytur portet e Evropës. Ku transporti në rastet e sasive të vogla kryhej me anë të automjeteve private dhe përmes korrierëve. Sekuestrime gjatë të cilave u kapën edhe sasi të konsiderueshme vlerash monetare.

Para të cilat më pas jo vetëm ushqenin të gjithë mekanizmin se si funksiononte organizata e cila kishte edhe ushtarët e vet. Por edhe investoheshin në shumë sektorë të ekonomisë.

Qoftë këto edhe në Dubai, aty ku Eldi Dizdari vazhdon të shijojë jetën e tij përrallore.

Gjykata e Firences: “Hetimet zbuluan gjithashtu edhe lëvizje të mëdha të parave që lidhen me trafikun e narkotikëve.

Gjatë një kontrolli në kryeqytetin e Hollandës, Amsterdam, u sekuestrua një shumë prej 1390 000 euro, e cila po konservohej për të blerë kokainë. Ndërsa në rast tjetër u sekuestruan 276 000 euro, edhe këto për blerje të mëtejshme të drogës”.

Duke mbetur te kjo dosje, ajo që vihet re është se Dritan Rexhepi përdorte disa pseudonime.  Si ‘Dhimbo’, ‘Ali’, ‘Julio Cesar’, ‘Jose’, ‘Bugatti’ dhe ‘Boss’.  Dhe se një nga pikat kryesore të tranzitit të kokainës ishte Holanda, nga ku droga më pas transportohej drejt Italisë.

Fabian Zhilla: “Për ato grupe të cilët eksponentë të tyre janë zhvendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe, konkretisht në Dubai, patjetër që fillon dhe hetimi pasuror, për të cilat ne do ta shikojmë kur të dalë rezultati”.

Fatjona Mejdini: “Larmishmëritë dhe kategoritë e llojeve të ndryshme të personave të lidhur me krimin e organizuar në botë është e madhe dhe e ndryshme. Dhe sigurisht nga viti në vit ka ndryshuar sipas nevojave të tyre. Por nga ana tjetër edhe gatishmëria e vendeve që i kanë mirëpirtur ato. Nga ana tjetër ishte kategoria e shqiptarëve që janë vendosur në Dubai dhe që janë në konflikt me ligjin. Por jo me ligjin në Shqipëri, pro në konflikt me ligjin ne vendet e tjera të botës. Ne kemi në Dubai persona që janë në konflikt me ligjin në Brazil, Paraguaji, pa llogaritur këtu vendet evropiane si Belgjika, Italia. Spanja etj. Po kërio janë kryesisht në kërkim nga vendet të ndryshme të BE apo te Amerikës Latine. Dhe nuk kërkohen nga shteti shqiptar, për shkak se nuk kanë kryer krime që lidhen me Shqipërinë”.

Por një tjetër shqiptar që zgjodhi Dubain për t’u relaksuar pasi ngriti një perandori të vetën nëpërmjet trafikut të kokainës, është edhe Dritan Gjika. Shqiptari sot për sot më i kërkuar në botë.

Që ndodhet i ndaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe, pas një kërkese për ekstradim nga autoritetet në Ekuador.

Aty ku 45 vjeçari nga Shkodra, prej më shumë se 10 vitesh kishte ndërtuar një nga rrjetet më të ndërlikuara të trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Por edhe të pastrimit të parave.

Duke krijuar kompani të shumta, pas të cilave fshihte pasuritë e përftura nga biznesi i kushtueshëm i drogës

Dosja Hetimore: “Dritan Gjika, me origjinë nga qyteti i Shkodrës në veri të Shqipërisë, një vend i vogël në juglindje të Evropës, ka mundur jo vetëm të ndërtojë një perandori të tij të kokainës, por edhe t’i fshehë fitimet duke përdorur kompanitë e tij të regjistruara ligjërisht si mbulesë për aktivitetin kriminal.

Duke e bërë këtë në mbulesën e një biznesmeni që operon në eksportin e produkteve bujqësore, në ndërtim, madje edhe në kultivimin e kanabisit. Ku ka mundur të kalojë tonelata me kokainë në tregun evropian”.

Gjika një ekspert tashmë në tregtinë e madhe të drogës, edhe pse thuhet se shkoi vonë në Ekuador, aty nga viti 2009, zërat thonë se ai mundi shpejt, brenda pesë viteve, të blinte aksione në kompaninë ‘Cresmark’.

Një kompani që merrej me eksportin e produkteve bujqësore, ku ortak ishte edhe një shqiptari tjetër, i njohur si Erjon Spahiu.

Ku nga këtu do të fillonte edhe rrugëtimi i gjatë i trafikut të kokainës të fshehur në fruta, në emrat e kompanive të ndryshme.

Dosja Hetimore: “Si një personazh i rafinuar në të tilla punë, Gjika që e dinte rëndësinë e fshehjes së duarve në të tilla punë, në qershorin e vitit 2021, Gjika themeloi brenda një ditë të vetme tetë kompani.

Këtë e bëri së bashku me Ruben Cherres, një biznesmen ekuadorian me lidhje të forta politike, i cili më vonë u vra në mënyrë brutale në vitin 2023 në Santa Elena.

Gjika përdorte laboratorët kolumbianë për të nisur kokainë fillimisht drejt Ekuadorit dhe më pas bashkë me bananet eksportohej drejt vendeve si Spanja, Belgjika, Holanda, Turqia dhe Shqipëria”.

Sipas hetimeve, Gjika shtriu duart nëpërmjet kokainës edhe në Shqipëri.

Ku gjatë vitit 2021, në portin e Durrësit u kap një sasi prej 10 kg kokainë, që vinte nga Amerika e Jugut, me porositës firmën ‘Alba Exotic Fruit’.

Kompani kjo e përmendur edhe në hetime të mëparshme në Greqi për një rast të ngjashëm me 137 kg kokainë.

Ndërkohë që Gjika ishte bërë mediatik në Ekuador edhe për shkak të një afere korruptive që përfshinte kunatin e ish-presidentit të Ekuadorit.

Ndërsa u zbulua se ai kishte mundur të pastronte nëpërmjet kompanive të tij mbi 30 milionë dollarë në sistemin financiar ekuadorian.

Dosja Hetimore: “Me të mësuar se fundi i tij do të ishte i afërt, në vitin 2023, Gjika fillimisht mendohet se u largua drejt Turqisë, dhe më pas në Dubai.

Ndërkohë që rreth mesnatës së 6 shkurtit 2024, Policia Kombëtare e Ekuadorit sulmoi një vilë dykatëshe ngjyrë bezhë në një komunitet luksoz të rrethuar në periferi të Guayaquil, qytetit portual më të madh të vendit.

Brenda, ata gjetën një nënë me vajzën e saj të vogël, së bashku me shumë armë zjarri dhe municione. Por burri, biznesmeni shqiptar Dritan Gjika, nuk u gjet askund.

Pas këtij operacionit, autoritetet në Ekuador ngrinë asetet e tij me vlerë mbi 51 milionë dollar”.

Fatjona Mejdini: “Në Dubai ata kanë financier shumë të mirë. Kanë jurist shumë të zotë. Kanë avokatë shumë të mirë të cilët sigurisht janë të aftë për të bërë të mundur mënyrën e regjistrinit.Një tendencë tjetër është qëtë investihet në disa kompani të ndryshme në Dubai në emër të të afërmve.

Një pjesë e krimit rtë organizuara kja tërhequr edhe familjet në Dubai. Dhe ti transferojnë këto të ardhura te familja e tyre, por ka pasur raste edhe te individë të tjerë që janë të lidhur me krimin e organizuar”.

Tashmë është e paqartë nëse Dritan Gjika do të ekstradohet nga Dubai për në Ekuador.

Aty ku e presin vite të gjata burgimi, nëse ai shpallet fajtor.

Por ajo që është e sigurtë, është që këta burra do bëjnë çmos që të mos i lëshojnë kaq kollaj shezlongët në diellin e Dubait, Kjo edhe nëpërmjet pasurisë miliardshe që kanë vendosur. Që duket se miklon ende autoritetet në Dubai, të cilët nuk i konsiderojnë ‘harram’ këto para në vendin e tyre.

Fatjona Mejdini: “Nuk mendoj që do bëhet transferimi i parave pas konfiskimit. Transferimi i parave të krimit është një proces tejet i vështirë.  Vende si Shqipëria as nuk mendohet të futen në bisedime me Dubain për të bërë një gjë të tillë. Edhe ikja nga Dubai është bërë në formën e dëbimit”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb