Një zhvillim i ri ka ndodhur në procesin gjyqësor për vrasjen e 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, ku i akuzuari Mark Antony Samson dha dëshmi para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Romë. Gjatë seancës në ambientet e sigurisë së lartë të Rebibbia Prison, 24-vjeçari pranoi se nuk mund të shpjegojë plotësisht veprimet e tij në momentin e krimit.
“Nuk mund ta shpjegoj çfarë më ndodhi. Ishte sikur një perde më kishte bllokuar sytë… nuk mbaj mend sa herë e godita, por padyshim më shumë se dy herë,” deklaroi ai para trupit gjykues.
Ngjarja ndodhi më 23 mars 2025, në apartamentin e Samsonit në Romë, ku Ilaria u godit për vdekje me thikë. I akuzuari pranoi gjithashtu se në dëshmitë e mëparshme nuk kishte thënë gjithmonë të vërtetën dhe se kishte tentuar të mbronte nënën e tij, e cila më parë ishte përfshirë në hetim dhe ishte dënuar për fshehje kufome.
Samson shtoi se Ilaria ishte “e zemëruar dhe e zhgënjyer” pasi kishte zbuluar gënjeshtrat e tij lidhur me studimet universitare. Seanca u ndoq nga prindërit e viktimës, të cilët përjetuan momente të vështira emocionale. Nëna e Ilarisë u detyrua të largohej për disa minuta nga salla për shkak të gjendjes së rënduar.
“Të dëgjosh këto gjëra dhe të rikujtosh momentet e fundit të jetës së vajzës sime është tepër e dhimbshme,” u shpreh ajo.
Babai i 22-vjeçares theksoi se familja nuk kërkon hakmarrje, por drejtësi. “Nuk po kërkoj hakmarrje, vetëm drejtësi. Dhe drejtësia do të thotë burgim i përjetshëm.”.
