Nuk kanë fund shqetësimet për Sylvinho-n në prag të sfidave të fazës “play-off”. Tekniku kuqezi duhet të bëjë llogaritë me disa mungesa të rëndësishme si Rey Manaj, Medon Berisha etj, por në të njëjtën kohë duhet të bëjë llogaritë edhe me lojtarë që nuk vijnë në kushte perfekte në këtë grumbullim, lojtarë si Broja apo Arbër Hoxha të cilët sapo janë rikthyer nga dëmtimet.
Së fundmi, trajnerin Sylvinho e shqetëson jo pak edhe gjendja e kapitenit Berat Gjimshiti. Nga Italia, mediat bëjnë me dije se qendërmbrojtësi nuk është stërvitur me pjesën tjetër të Atalantës përpara takimin kundër Bayern Munich. Ndryshe nga pjesa tjetër e ekipit, Gjimshiti ka bërë vetëm palestër duke e vendosur në dyshim të fortë prezencën e tij në Mynih.

Pavarësisht se nuk është stërvitur, Gjimshiti ka udhëtuar me pjesën tjetër të ekipit. Forma e tij jo e mirë fizikë është një shqetësim me vetë për trajnerin Sylvinho, por prezenca e kapitenit në listën që do të publikohet të shtunën është e sigurt.
Në çdo rast, gjendja e tij do të vlerësohet nga pranë edhe nga stafi kuqezi. Prezenca e Gjimshitit në një sfidë të tillë si ajo kundër Polonisë është jetike, për këtë arsye Sylvinjo është sy e veshë për të kuptuar se çfarë po ndodh me kapitenin e tij.
