Vijojnë operacionet policore për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka finalizuar operacionin “Fokusi”, duke vënë në pranga një 36-vjeçar në Lushnjë.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë, pas një hetimi njëmujor mbi aktivitetin e shpërndarjes së drogës në qytet.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi O. H., 36 vjeç, banues në Lushnjë, i dyshuar për shpërndarje të kokainës dhe kanabisit.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë sekuestruan rreth 55 gramë kokainë dhe 562 gramë kanabis. Po ashtu, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe një peshore elektronike, një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti kriminal, si dhe një telefon celular.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fier, ndërsa ndaj 36-vjeçarit rëndon akuza për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Policia bën me dije se operacionet për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve do të vijojnë në të gjithë qarkun.
