Policia e Tiranë ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Flash”, duke goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, u bë e mundur kapja në flagrancë dhe arrestimi i shtetasit Spartak Alushi, 37 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e policisë i gjetën 37-vjeçarit sasi të lëndëve të dyshuara narkotike, kokainë dhe heroinë, të ndara në doza dhe gati për shitje.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forca e Posaçme “Shqiponja”, ndërsa arrestimi u krye në zonën e njohur si Rruga e Dibrës. Sipas hetimeve paraprake, i dyshuari siguronte lëndët narkotike dhe i shpërndante në doza të vogla, të cilat më pas i shiste në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht në këtë aks rrugor.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni policor i koduar “Flash”, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara për një rast të shitjes së lëndëve narkotike. Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 37-vjeçari që shiste lëndë narkotike Kokainë dhe Heroinë. Sekuestrohen sasi të lëndëve narkotike Heroinë dhe Kokainë, të ndara në doza, gati për shitje, të cilat iu gjetën 37-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, ka organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, operacionin policor të koduar “Flash”.
Gjatë operacionit, u kap në flagrancë në Rrugën e Dibrës dhe u arrestua shtetasi:
-S. A., 37 vjeç, banues në Tiranë.
Gatë kontrollit, shërbimet e Policisë i gjetën shtetasit S. A., sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Heroinë, të ndara në doza, gati për shitje. Ky shtetas dyshohet se siguronte lëndë narkotike dhe i ndante në doza, të cilat i shiste në zona të ndryshme, kryesisht në Rrugën e Dibrës. Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
