Emisioni Investigativ “Tak Fak’, u ndal këtë të mërkurë te denoncimi nga qytetarja Dafina Hodo, e cila edhe pse ka blerë një apartament me letra të rregullta, ka më shumë se një vit që nuk mundet të kryejë rregullime në banesën e saj, pasi një person i cili nuk është banor i pallatit, ka vendosur një derë, e cila e pengon Dafinën të ngjitet në taracë dhe të kryejë riparime.
Gazetari i “Tak Fak” Andi shkon në Policinë Bashkiake dhe personi përgjegjës thotë se nuk është në dijeni të derës, por vetëm të problemeve të tavanit që i pikon zonjës, ndërkohë që bën të paditurin për derën.
Pasi replikon me zonjën, ku del se policia ka qenë në dijeni të derës por për çudi nuk është shënuar në dokument, përfaqësuesi thotë se do ta shohim rastin dhe do t’ia çojmë IMT.
Më pas Andi shkon aty ku zonja bëri denoncimin për herë të parë Njësia Bashkiake 14. Kryetari është shumë konfuz në përgjigje, por në fund bëhet një shkresë për IMT-në. Në këtë pikë Andi vendos të shkojë vetë te IMT dhe gjithçka zgjidhet menjëherë.
I jepet e drejta zonjës për kërkesën. Në prani të Tak Fak, IMT prish derën, ndërkohë që Dashi kërcënon Dafinën.
