Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi akuzon kreun e Kuvendit, Niko Peleshi se përjashtoi qëllimsht deputetët demokratë nga delegacioni zyrtar gjatë vizitës në Bundestagun gjerman.

Në reagimin e opozitës thuhet se gjithçka nisi pas kërkesës së datës 4 mars 2026 nga kryetari i Kuvendit për caktimin e dy deputetëve nga grupi parlamentar i opozitës në delegacion. Në përgjigje të kësaj kërkese, thuhet në deklaratë, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike kishte propozuar deputetët Tomorr Alizoti dhe Klevis Balliu, duke theksuar rolin e tyre si pjesë e strukturave parlamentare dhe grupeve të miqësisë Shqipëri–Gjermani.

Megjithatë, sipas opozitës, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka ndërmarrë më pas një vendim të njëanshëm për të përjashtuar përfaqësuesit e saj nga delegacioni zyrtar, duke hequr emrat e propozuar pa dhënë arsye. Ky veprim cilësohet si i paprecedentë dhe si një përjashtim i grupit më të madh opozitar nga përfaqësimi institucional.

Pavarësisht përjashtimit nga delegacioni zyrtar, opozita thekson se po zhvillon takime të planifikuara më herët në Bundestag dhe në qeverinë federale gjermane. Sipas saj, këto takime po zhvillohen në nivele të larta dhe synojnë përfaqësimin e Shqipërisë me fokus te shteti ligjor dhe integrimi europian.

Reagimi

Në vijim të kërkesës së datës 4 Mars 2026 të vetë Kryetarit të Kuvendit për të caktuar dy deputetë të grupit tonë parlamentar në këtë Delegacion, nga ana e kryetarit të grupit parlamentar u caktuan z. Tomorr Alizoti – Nënkryetar i grupit parlamentar dhe njëherazi Nënkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Gjermani; si dhe z. Klevis Balliu – Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë dhe njëherazi anëtar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Gjermani.

Niko Peleshi, në një akt të paprecedentë për një Kryetar Kuvendi, por të përsëritur prej tij, ka vendosur më pas pa asnjë arsye të përjashtojë grupin më të madh të opozitës në Kuvend nga delegacioni zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë në Bundestag. Emrat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike u hoqën qëllimisht për ta përjashtuar PD nga përfaqësimi institucional.

Fatkeqësisht, ky vendim tregon sa vite dritë larg standardeve demokratike të Bundestagut gjerman është sot drejtimi i maxhorancës parlamentare.

Trajtimi i opozitës si armik nuk e zhbën problemin kryesor të kësaj maxhorance: lidhjet me krimin e organizuar dhe mbrojtjen e korrupsionit përmes votës në Parlament. Dhe ndërkohë që flasin për anëtarësim në Europë, negociatat më të frytshme i bëjnë me skifterët e orëve të vjedhura nëpër Europë apo duke bashkëpunuar me organizatat më të rrezikshme kriminale në vend!

Ne nuk presim standarde europiane nga një Kryetar Kuvendi që nuk vendos dot vetë, por urdhërohet nga ushtarët politikë të Suel Çelës. Po të mos ishte në kërkim ky i fundit, sot mund ta shihnim si pjesë të delegacionit njëpartiak në Bundestag.

Mirëpo, kjo sjellje e Kryetarit të Kuvendit nuk e pengon opozitën që të përfaqësohet në marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtar. Opozita po zhvillon takimet e saj në Bundestag dhe në Qeverinë Federale Gjermane, në nivelet më të larta, të planifikuara më herët. Ne po përfaqësojmë PD dhe Shqipërinë me dinjitet dhe me qëndrime të qarta për shtetin ligjor dhe integrimin europian.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb