Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar turin e takimeve në Belgjika, me fokus kryesisht në Bruksel, ku mori pjesë edhe në mbledhjen e Partia Popullore Evropiane (EPP).
Në një prononcim për mediat nga Brukseli, Berisha bëri të ditur se ka zhvilluar takime edhe në Parlamentin Federal të Belgjikës, ku, sipas tij, ka paraqitur “situatën dramatike në Shqipëri”, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për përqendrim pushteti dhe manipulim të procesit zgjedhor.
Ai u shpreh se në këto takime janë ngritur çështje si nevoja për një qeveri teknike, garantimi i zgjedhjeve të lira, si dhe problematikat që lidhen me krimin dhe korrupsionin në vend.
Berisha ndaloi veçanërisht te çështja e imunitetit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, duke akuzuar mazhorancën se ka bllokuar heqjen e tij, pavarësisht se ajo është e pandehur nga SPAK dhe GJKKO. Sipas tij, ky veprim synon të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë edhe vetë kryeministrin.
Në përfundim, kreu i PD-së theksoi se palët kanë rënë dakord të vijojnë komunikimin, ndërsa shprehu besimin se autoritetet belge mbështesin forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit.
Deklarata e plotë:
Berisha: Zhvilluam këtu pas takimit që patëm në parlamentin e kryeqytetit të Belgjikës, që është njëkohësisht kryeqyteti i Europës dhe unë kam lidhje tradicionale me parlamentin e këtij qyteti të bekuar.
Erdhëm këtu në parlamentin federal dhe u takuam me zëvendëskryetaren e Komisionit të Jashtëm të parlamentit dhe anëtarë të Komisionit të Jashtëm të parlamentit ku paraqitëm gjendjen në Shqipëri, situatën dramatike në të cilën ndodhet dhe krizën që po e gllabëron Shqipërinë me shtylla kryesore përqendrimin e të gjitha pushteteve në dorë të një njeriu dhe shndërrimin e procesit zgjedhor në farsë elektorale.
Drogën si një fuqi e jashtëzakonshme me rrezikshmëri të lartë për Shqipërinë, por edhe për Belgjikën, Holandën dhe rajonin e më gjerë si dhe qëndrimet e fundit ndaj korrupsionit, bllokimin e heqjes së imunitetit të Edi Ramës për shkak të dosjeve të veta dhe vendimin e tij për të votuar një paketë ligjesh si mburojë për vjedhjet e veta dhe vjedhjet e qeveritarëve.
Ramë dakord të vazhdojmë komunikimin.
Na falënderuam për informacionin dhe debatin që patëm dhe ne jemi besimplotë se autoritetet belge qëndrojnë fuqishëm për shtetin zgjedhor dhe ndarjen e pushteteve, luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar.
Mos harroni se në sallat e gjyqit të këtij kryeqyteti ka dalë emri i Edi Ramës si njeriu që i është bërë dhuratë 600 mijë euro ora, është bërë e famshme sipas televizionit belg, dhe problemet e tjera.
Unë garantova se PD mbetet e vendosur dhe ka yll polar në programin e saj integrimin e bazuar në meritë.
Dhe, kushti i të gjitha kushteve, për mendimin tonë, duhet të jetë respektimi i shtetit ligjor, lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë, lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Pyetje: A shpalosët dhe kërkesën e opozitës tashmë për qeveri teknike në këto takime?
Sali Berisha: Sigurisht që e shpalosëm dhe e paraqitëm atë si mundësia e vetme që shqiptarët të mund të votojnë në zgjedhje të lira sepse qeveria aktuale zhvillon farsë dhe nuk bën zgjedhje.
