Analisti Agim Baçi ka ngritur shqetësime për nivelin e demokracisë së brendshme në partitë politike, duke u ndalur veçanërisht tek situata në Partinë Demokratike dhe proceset zgjedhore brenda saj.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Baçi u shpreh se mungesa e demokracisë së brendshme në parti përbën një problem serioz që reflektohet edhe në mënyrën e qeverisjes së vendit.

“Debatet pse nuk ka demokraci në partitë politike duhet të jetë shqetësim i shqiptarëve. Në momentin që nuk kemi demokraci të brendshme, rrezikojmë që ashtu të kemi edhe qeverisjen”, u shpreh ai.

Sipas Baçit, debatet dhe përplasjet duhet të zhvillohen brenda forumeve të partive, pa çuar drejt përçarjes, ndërsa paralajmëroi se përfshirja e proceseve gjyqësore mund të thellojë më tej konfliktet.

Ai theksoi se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi individë të caktuar, por edhe mbi forumet drejtuese që, sipas tij, nuk kanë treguar kurajë për të zhvilluar debate të brendshme dhe për të garantuar standarde demokratike.

“Kam bindjen se PD është më e madhe se Berisha. Kush thotë që Berisha është PD, e zvogëlon PD-në”, deklaroi Baçi, duke shtuar se strukturat e partisë duhet të insistojnë për rikthimin e garës së vërtetë, edhe përmes mekanizmave të brendshëm si gjykata e partisë.

Baçi përfundoi se vetëm përmes rregullave të qarta dhe debatit të hapur, partitë politike mund të shmangin ngushtimin dhe të garantojnë funksionimin demokratik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb