Ish-deputeti Ervin Salianji ka folur për garën për drejtimin e Partisë Demokratike dhe situatën e përgjithshme brenda saj, duke shprehur kritika ndaj liderit të PD-së, Sali Berisha.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Salianji vuri theksin tek nevoja për “parademokratizimin” e partive politike në Shqipëri, duke argumentuar se pa demokraci të brendshme nuk mund të ketë demokraci funksionale në vend.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e debatit brenda opozitës dhe hezitimin për të vënë në diskutim autoritetin e liderit, duke iu referuar drejtpërdrejt Berishës.
Sipas tij, një sërë premtimesh të bëra nga kreu i PD-së nuk janë mbajtur, përfshirë zotimet për të mundur kryeministrin Edi Rama, për të zgjidhur raportet me ndërkombëtarët, si dhe për të ndryshuar mënyrën e përzgjedhjes së deputetëve nga anëtarësia.
“Në opozitë kanë frikë të vendosin në diskutim autoritetin e liderit i cili ka thënë do e mund Edi Ramën, do zgjidh problemet me ndërkombëtarët, do e tërheq Ramën zvarrë brenda 6 muajsh, deputetët do i zgjedhin anëtarësia jo kryetari dhe një sërë premtimesh të pambajtura. A bëhet PD fituese kështu”, u shpreh Salianji.
