Menjëherë pas masave që qeveria e vendit fqinj, (Italia) mori për të zbutur efekteve të rritjes së çmimit të naftës, duket se qeveria shqiptare vendosi të veprojë, por me vonesë.

Tre ditë pas takimit me furnizuesit e naftës, ku Edi Rama mohoi kategorikisht çdo rishikim të taksave të karburanteve, çdo kompensim për qytetarët dhe ngritjen e Bordit të Transparencës, burimet thonë se tashmë qeveria po planifikon të marrë disa masa.

Sipas burimeve për News24, qeveria ka vendosur të rikthejë Bordin e Transparencës, që do të caktojë çmimet tavan për hidrokarburet. Vendimi për ngritjen e Bordit pritet të merret në mbledhjen e qeverisë javën që vjen. Ndërkohë, në një mbledhje të zhvilluar vonë në mbrëmjen e 19 marsit, qeveria vendosi të ulë akcizën me 20%, nga 38.8 lekë për litër aktualisht.

Ndryshimi i qëndrimit të qeverisë, që nga refuzimi fillestar për të ngritur bordin e transparencës deri te vendimi për ta rikthyer, erdhi pas rritjes së çmimit të naftës deri në 217 lekë/litër brenda 24 orëve. Në mbledhjen e qeverisë janë përcaktuar edhe marzhet e fitimit për furnitorët e naftës: 3 lekë për tregtinë me shumicë dhe 12 lekë për tregtinë me pakicë.

Në takimin me grosistët, përfaqësuesit e qeverisë argumentuan se rikthimi i Bordit të Transparencës nuk ishte i nevojshëm, pasi që nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, rritja e çmimit ishte konsideruar “e moderuar”. Ndërkohë, kërkesa për rishikimin e taksave u bë nga Konfindustria, duke vënë në dukje se çdo litër nafte mbart katër taksa: akcizën, TVSH-në, taksën e karbonit dhe taksën e qarkullimit.

Për herë të parë, Bordi i Transparencës u ngrit gjatë krizës së luftës në Ukrainë në vitin 2022, duke vendosur çmim tavan për naftën dhe nënproduktet e saj, për të frenuar abuzimet nga tregtarët e hidrokarbureve. Por duket se tani, si shumë herë më parë, qeveria shqiptare vepron më shumë pas shembullit të fqinjëve, sesa duke dëgjuar nevojat e qytetarëve dhe të grupeve të interesit vendor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb