“24 orët e fundit kanë shënuar ndoshta përçarjen më të madhe publike midis SHBA-së dhe Izraelit që nga fillimi i luftës”. Ky është përfundimi i një analize nga rrjeti britanik Sky News mbi deklaratat publike të Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu.

Që nga sulmet e para më 28 shkurt, ushtritë e të dy vendeve kanë vepruar kryesisht në koordinim të plotë. Megjithatë, është e qartë se në nivel qeveritar, qëllimet e luftës mund të ndryshojnë në disa çështje kyçe, sipas Sky News.

Ku nuk pajtohen Izraeli dhe SHBA-të?

-Forcat tokësore: Netanyahu këmbënguli dje se ekzistojnë “mundësi” për një operacion tokësor, pasi operacionet nuk mund të arrihen vetëm nga ajri. Trump deklaroi po atë ditë se “nuk do të dërgojë trupa askund”. Kjo ka të ngjarë të mos i pëlqejë bazës së tij “Amerika e Para”.

-Infrastruktura energjetike: Izraeli është i hapur për të synuar objektet energjetike iraniane, duke kulmuar me sulme në fushën më të madhe të gazit natyror në botë këtë javë. Trump tha se i kishte kërkuar kryeministrit të Izraelit të shmangte sulme të tilla. Netanyahu tha të martën se ishte dakord me kërkesën e Trump. Sky News raportoi se zyrtarët amerikanë u zhgënjyen kur Izraeli goditi depot iraniane të karburantit më herët gjatë luftës.

-Synime më të gjera të luftës: Në përgjigje të një pyetjeje nga Komiteti i Inteligjencës i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Tulsi Gabbard, Këshilltare e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së, tha dje: “Synimet që ka vendosur presidenti janë të ndryshme nga synimet që ka vendosur qeveria izraelite”.

“Izraeli është përqendruar në neutralizimin e udhëheqjes iraniane. Qëllimi i Donald Trump ishte të neutralizonte kërcënimin raketor të Iranit dhe marinën e tij”, shtoi Gabbard.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb