Një operacion i mirëorganizuar ka çuar në goditjen e një grupi shqiptar të përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike në veri të Italisë. Dy shtetas shqiptarë, 27 dhe 38 vjeç, banues në Parabiago, janë arrestuar nga efektivët e degës së Legnanos, pas një urdhri ndalimi të lëshuar nga gjyqtari hetues i Busto Arsizio, me kërkesë të prokurorisë lokale. Ata akuzohen për bashkëpunim në trafikun dhe shpërndarjen e narkotikëve.
Arrestimet janë rezultat i një hetimi të gjatë dhe kompleks, i mbështetur në përgjime telefonike dhe ambientale, që zbuluan një aktivitet intensiv të trafikut të kokainës, veçanërisht në periudhën prill–qershor 2024.
Sipas hetuesve, dy të arrestuarit dyshohet se kanë shpërndarë mbi 20 mijë doza droge në një sërë transaksionesh të zhvilluara në Canegrate, Parabiago dhe San Giorgio su Legnano, duke gjeneruar të ardhura që kapin vlerën mbi 700 mijë euro.
Shkëmbimet e drogës kryheshin në mënyrë të organizuar, përmes takimeve të shpejta në rrugët e qytetit, ku realizoheshin furnizime me sasi të konsiderueshme të destinuara për tregun me pakicë. Në kuadër të të njëjtit operacion, edhe dy shtetas të tjerë shqiptarë janë vënë nën hetim dhe ndaj tyre është vendosur masa e detyrimit për paraqitje, pasi dyshohet se kanë qenë pjesë e të njëjtit rrjet kriminal.
