Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka lëshuar deklarata të ashpra ndaj Izraelit gjatë mesazhit të tij për Fitër Bajrami, duke theksuar se “Izraeli sionist ka vrarë qindra mijëra njerëz” dhe se, sipas tij, “do ta paguajë çmimin për këtë”.

Në fjalimin e mbajtur pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, Erdoğan u ndal te situata në Lindja e Mesme, të cilën e përshkroi si shumë të tensionuar. Ai theksoi se bota islame po përballet me sfida serioze dhe bëri thirrje për unitet dhe solidaritet mes myslimanëve.

Në fjalimin e tij, presidenti turk theksoi:“Kemi përfunduar një muaj të bekuar të Ramazanit, por bota islame po përballet me vështirësi shumë serioze. Siç e dini, Lindja e Mesme është në trazira. Ne humbasim vazhdimisht dëshmorë dhe veteranë. Zoti na mbroftë dhe na çliroftë nga fatkeqësia e sionistëve sa më shpejt të jetë e mundur. E shkatërroftë plotësisht Izraelin në emër të emrit të Tij të lavdishëm “Al-Qahhar”. 

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Turqisë dhe Izraelit vijojnë të jenë të tensionuara, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në Gaza dhe përshkallëzimit të situatës në rajon.

Në të njëjtën kohë, presidenti turk rikujtoi se Lindja e Mesme “po vlon”, duke nënvizuar nevojën për stabilitet dhe bashkëpunim. Ai uroi gjithashtu besimtarët myslimanë për festën, duke shprehur shpresën që ajo të shërbejë si një moment rilindjeje për të gjithë botën islame.

Tensionet mes dy vendeve janë rritur edhe më shumë në vitet e fundit, ndërsa zhvillimet gjeopolitike dhe konfliktet në rajon vazhdojnë të ndikojnë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb