Ambasadori gjerman në Kosovë Rainer Rudolph ka folur për situatën politike në vend. Në një intervistë për mediat në Kosovë, Rudolph tha se të gjithë aktorët politikë duhet të mendojnë për të mirën e vendit dhe të mbështesin agjendën evropiane, duke nënvizuar rëndësinë e institucioneve stabël për të ruajtur momentumin pozitiv.

Gjithashtu ambasadori gjerman shtoi se miqtë ndërkombëtarë nuk mund ta bëjnë punën e vetë shtetit të Kosovës.

“Mesazhi për të gjithë aktorët politikë, në të gjithë spektrin, mendojeni se çfarë është më e mira për vendin, në kuptimin e ndërveprimit tuaj me ne, pra me miqtë tuaj ndërkombëtarë, për agjendën ndërkombëtare evropiane që duhet të shtyhet përpara. Ajo çfarë mund të bëjmë ne si miq të këtij shteti, është që ta marrim këtë dinamikë që vjen nga vetë vendi, që rrjedh nga vetë vendi, nuk mund ta krijojmë këtë vetë, dhe për të pasur këtë momentum pozitiv, na duhen institucione stabël që e përfaqësojnë vendin”, u shpreh ambasadori gjerman.

Gjithashtu ai tha se Ligji për të huajt duhet të zbatohet në mënyrë që të mos pengojë jetën e përditshme të qytetarëve dhe pakicave, duke ruajtur shërbimet shëndetësore dhe arsimore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb