Blendi Klosi ka hapur punimet e Asamblesë së Partia Socialiste e Shqipërisë, duke bërë një analizë të rezultateve të zgjedhjeve të fundit të përgjithshme dhe duke theksuar forcimin e shumicës qeverisëse.

Në fjalën e tij, Klosi u shpreh se fitorja e PS nuk është një fitore e zakonshme, por një tregues i qartë se shqiptarët kanë zgjedhur stabilitetin. Ai theksoi se mandati i katërt kërkon më shumë përgjegjësi dhe reflektim nga ana e mazhorancës.

Sipas Klosit, rezultati zgjedhor duhet lexuar jo vetëm si diferencë votash, por si diferencë besimi dhe vizioni politik ndaj kundërshtarëve.

“Fitorja jonë nuk është fitore e zakonshme por tregon se shqiptarët zgjodhën stabilitetin. Pikërisht sepse është mandati i 4 kjo kërkon më shumë përgjegjësi, sepse nuk mund të sillemi si një parti që fiton për herë të parë. Duhet të jemi më të organizuar dhe më kërkues ndaj vetes. Ky prezantim nis me një të vërtetë të thjeshtë. Kemi marrë një fitore të plotë, jo të përkohshme e as të rastësishme.  Është një kontratë e rinovuar mes PS dhe shumicës së shqiptarëve. Diferenca më kundërshtarët politikë nuk është vetëm diferencë elektorale, por politike dhe besimi. Rezultati duhet të lexohet politikisht”, tha ai.

Ai vuri në dukje edhe mbështetjen e lartë nga diaspora, duke theksuar se mbi 61% e votave të shqiptarëve jashtë vendit kanë shkuar për PS, çka e bën fitoren edhe më të fortë politikisht.

Në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, Klosi theksoi se Partia Socialiste e Shqipërisë ka shënuar rritje, ndërsa opozita është dobësuar.

“Nuk fituam sepse kundërshtarët ranë, por sepse ditëm të ishim më të organizuar”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb