Sezoni 2025-26 në Superiore po hyn në një fazë vendimtare, ku gara për titullin kampion është bërë më e fortë se kurrë. Në epiqendër të kësaj sfide qëndron përballja mes Vllaznisë dhe Dinamos, dy skuadra që jo vetëm rivalizojnë në distancë disi tashmë, por mes tyre ndajnë një rivalitet të “ashpër” e të “zjarrtë” sidomos gjatë këtij edicioni.

Ku jo vetëm loja në fushë, por edhe polemikat e deklaratat e ndryshme i kanë dhënë një tjetër ngjyrë këtij dueli. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja renditet aktualisht në vendin e pestë dhe kërkon të rikthehet në garë për “Final 4” Ndërsa ajo e Edi Martinit kryeson kampionatin së bashku me Elbasanin në kuotën e 52 pikeve pas 28 javësh. Diferencat janë minimale dhe çdo ndeshje në këtë fazë të sezonit merr peshë të jashtëzakonshme, sidomos kur bëhet fjalë për duele direkte si ky i raundit të 29-të.

Bilanci i përballjeve mes tyre këtë sezon ka qenë i balancuar, duke reflektuar më së miri rivalitetin në fushë. Në takimin e parë, Dinamo triumfoi 3-1 në Elbasan, me golat e Bregut, Guindos dhe Berishës, ndërsa për Vllazninë realizoi Bekim Balaj. Një sukses që konfirmoi ambiciet e kryeqytetasve që kishin në këtë edicion, por që tashmë janë lëkundur goxha. Megjithatë, përgjigjja e shkodranëve nuk vonoi. Në “Loro Boriçi”, Vllaznia fitoi minimalisht 1-0, falë një goli vendimtar të Balajt, duke rikthyer ekuilibrin mes dy ekipeve dhe duke treguar forcën e saj në shtëpi. Ndërkohë, edhe përballja më e fundit mes tyre ka buzëqeshur për Vllazninë, e cila ka arritur të fitojë në transfertë me rezultatin 0-2.

Autorë të golave ishin sërish Bekim Balaj dhe Kallaku, duke i dhënë një avantazh të rëndësishëm psikologjik skuadrës shkodrane në prag të sfidës së radhës. Me këtë bilanc që anon lehtë në favor të Vllaznisë pas suksesit të fundit, përballja e radhës pritet të jetë vendimtare jo vetëm për renditjen, por edhe për moralin e dy skuadrave. Në një kampionat kaq të ekuilibruar, çdo detaj mund të bëjë diferencën dhe Vllaznia duket e vendosur të shfrytëzojë momentin për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt “blindimit” të kreut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb