Sezoni 2026 i Formulës 1 ka nisur si një provë e vërtetë zjarri për Maks Vershtapen dhe ekipin Red Bull. Pas viteve dominimi pothuajse absolut, holandezi po përballet me një realitet krejt ndryshe për shkak të hyrjes në fuqi të rregulloreve të reja teknike dhe të njësive të fuqisë.
Ajo që pritej të ishte një tranzicion drejt një epoke të re suksesi, është kthyer, sipas vetë pilotit, në një “makth” dhe një luftë për “mbijetesë” në çdo xhiro. Holandezi, i cili mbeti vetëm dy pikë larg barazimit të një rekordi në Formula 1, fitimi i pesë titujve radhazi (si Mikael Shumaker), po përjeton një situatë të ngjashme me atë që përjetoi “Kaiseri”. Me zhdukjen e motorëve V10 dhe lodhjen mentale pas dominimit për pesë vite, Shumaker vendosi të tërhiqej, për t’u rikthyer katër vite më vonë me Mercedesin. Diçka e ngjashme po i ndodh edhe Vershtapenit, i cili po përballet me lodhjen mendore pas katër titujve radhazi, në një kohë kur sporti po hyn në një epokë të re rregulloresh.
KRITIKAT NGA RALF Nëse ka diçka që e karakterizon Mak Vershtapenin jashtë pistës, janë deklaratat e tij të drejtpërdrejta dhe pa filtra. Megjithatë, komentet e tij, ku u shpreh se tifozët që po e shijojnë këtë sezon nuk janë të vërtetë, nuk janë pritur mirë nga Ralf Shumaker. “Mikaeli nuk do ta bënte kurrë këtë, ai nuk do të kishte marrë kurrë një qëndrim të tillë”, tha ish-piloti, duke vlerësuar figurën e shtatë herë kampionit të botës. Në podkastin “Backstage Boxengasse”, Ralf shtoi: “Mendoj se ajo që i mungon tani Maksit, dhe kjo nuk është e pazakontë, është dikush me të cilin të flasë. Kur një sportist ka kaq shumë sukses, është e natyrshme që pak njerëz ta kundërshtojnë. Maks duhet të dëgjojë menaxherin e tij ose një mik të mirë dhe të përqendrohet tek gjërat e rëndësishme”. Ai vijoi duke e krahasuar me të vëllanë e tij, duke theksuar mënyrën si përballonte periudhat e vështira: “Në këtë moment, ai po garon në mesin e renditjes. Ajo që ka vërtet rëndësi tani, dhe kjo është diferenca e madhe me vëllain tim, është se Mikaeli gjithmonë e mbështeste ekipin dhe shmangte kritikat publike”.
MUNGESA E MARKOS, PROBLEM Që nga largimi i Helmut Markos nga Red Bulli, struktura e lidershipit dhe komunikimit me mediat ka ndryshuar ndjeshëm. Tani vëmendja është përqendruar te drejtori i ekipit, Laurent Mekies, dhe te vetë Vershtapen. Sipas Ralf Shumakerit, një pjesë e problemeve të Vershtapenit me publikun lidhen pikërisht me këtë mungesë figure udhëheqëse: “Vershtapen ka nevojë për dikë si Helmut Marko, që t’i thotë gjërat siç janë, të mbështesë ekipin dhe, kur është e nevojshme, t’i thotë: ‘Mjaft më’”. Ai gjithashtu theksoi urgjencën për të zëvendësuar këtë rol: “Është shumë e rëndësishme që ky pozicion të plotësohet sa më shpejt. Përndryshe, gjërat mund të marrin një drejtim që nuk duhet të ndodhë”, përfundoi prononcimin vëllai i legjendës së Formulës 1.
