Arabia Saudite ka urdhëruar atasheun ushtarak të ambasadës iraniane, ndihmësin e tij dhe tre anëtarë të tjerë të misionit diplomatik që të largohen nga territori i saj brenda 24 orëve, duke i shpallur “persona non grata”. Vendimi shënon një përshkallëzim të ri diplomatik mes Riadit dhe Teheranit në një moment kur rajoni po përballet me tensione të forta ushtarake.
Ky zhvillim vjen në sfondin e një konflikti të gjerë në Lindjen e Mesme, ku përplasjet mes Iranit dhe një koalicioni të udhëhequr nga SHBA dhe Izraeli kanë rritur ndjeshëm rrezikun e destabilizimit rajonal. Sipas deklaratave të fundit nga zyrtarët sauditë, sulmet me raketa të Iranit ndaj territorit saudit dhe infrastrukturës energjetike kanë “shkatërruar besimin” mes dy vendeve dhe kanë shtyrë Riadin drejt masave më të ashpra diplomatike dhe potencialisht ushtarake.
Vendimi i Arabisë Saudite pason hapa të ngjashëm nga vende të tjera të Gjirit. Vetëm pak ditë më parë, Katari dëboi atasheun ushtarak dhe atë të sigurisë të Iranit, së bashku me stafin e tyre, pasi një sulm me raketa goditi një nga objektet më të rëndësishme të gazit në vend.
