Ndryshimet e fundit ligjore kanë sjellë një ndryshim. Duke nisur nga viti 2025 “Tatimi mbi Fitimin”, quhet “Tatimi mbi të Ardhurat e Korporatave. Ky konsiderohet zhvillim pozitiv, pasi pretendohet se e afron sistemin tonë me standardet ndërkombëtare, por në praktikë ka lindur një problem serioz.
Sipas Monitor, shumë biznese që kishin teprica kreditore (pra para të tepërta të paguara) në llogarinë e vjetër deri në fund të vitit 2024, nuk po mund t’i përdorin këto shuma në sistemin e ri. Këto para kanë mbetur “të bllokuara” dhe nuk po njihen për të shlyer detyrimet e vitit 2025.
Si pasojë, bizneset rrezikojnë: të paguajnë dy herë, të kenë më shumë procedura dhe vonesa dhe të përballen me penalitete të padrejta.
Ndërkohë, ligji është i qartë: të drejtat dhe detyrimet tatimore duhet të vazhdojnë, pavarësisht ndryshimit të emrit apo klasifikimit.
Në këtë situatë, bizneset kërkojnë nga Tatimet që këto teprica të transferohen automatikisht në llogarinë e re, ose të bëhet e mundur përdorimi i tyre, të jepet një sqarim zyrtar për mënyrën si do të trajtohet kjo çështje dhe të mos vendosen gjoba, derisa problemi të zgjidhet.
Duke qenë se jemi në periudhën e deklarimeve për vitin 2025, kjo situatë kërkon zgjidhje urgjente.
