Gjykata e Posaçme cilësoi fajtor dhe dënoi me burgim të përjetshëm pronarin e “Golden Resort” Altin Hajri, për akuzën e rrëmbimit me pasojë vdekjen e Jan Prengës.

Hajri u gjykua në mungesë, përderisa policia ka dështuar në arrestimin e tij prej më shumë se 6 vitesh, ndërsa në seancë avokati i tij tha se ai i mohon akuzat dhe se nuk ka patur asnjë dijeni për rrëmbimin e Prengës janarin e 2020.

Gjatë procesit, SPAK tha se nga hetimet rezulton e provuar se Altin Hajri është pjesë e grupit kriminal që organizoi rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e trupit të pajetë të Prengës.

Ai shfaqet duke shkatërruar kamerat e sigurisë në garazhin e Golden Resort, ku u mbajt për orë të tëra trupi i pajetë i Prengës përpara se të nxirrej nga aty dhe të varrosej në një vend të fshehtë.

Po ashtu, një tjetër provë që u paraqit në procesin ndaj të shumëkërkuarit ishin komunikimet mes të pandehurve në aplikacionin e koduar Sky ECC ky flitej pikërisht për çështjen e Jan Prengës. Më herët në një tjetër proces është dënuar me vendim të formës së prerë me burgim të përjetshëm kopshtari i Golden Resort, Festim Bexhdili.

Ndërkohë të pandehurit, Dritan Rexhepi, Gentian Doci Funiqi, Aldo Majnishta, Artan Docaj, Geraldo Martini, Korado Gështenja dhe Martin Bleta, po gjykohen në një proces të ndarë po në gjykatën e Posaçme për të njëjtën çështje.

Sipas SPAK, Dritan Rexhepi dhe Gentian Doci Funiqi urdhëruan rrëmbimin e Prengës, pasi vëllai i tij Astriti iu kishte grabitur sasinë prej 260 kg kokainë në një port të Britanisë së Madhe. Ndonëse Astrit Prenga ktheu një sasi të drogës së grabitur dhe pagoi një shumë parash, trupi I pajetë i Jan Prengës nuk iu kthye familjes nga rrëmbyesit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb