Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar pas përmbajtjes së transmetuar mbrëmjen e kaluar në një emision investigativ, ku njërit prej anëtarëve të këtij institucioni, Olger Eminaj iu publikuan mesazhe telefonike të papërshtatshme me një denoncuese.
KLP nënvizon se çdo çështje me natyrë disiplinore ndaj anëtarëve të tij shqyrtohet nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Gjykata Kushtetuese, ndërsa shton se procesi i verifikimit po vijon për një zbardhje të plotë dhe të paanshme të rastit.
Gjithashtu, KLP sqaron se ankesa e qytetares është përcjellë për shqyrtim pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në përputhje me procedurat ligjore.
Reagimi
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka ndjekur me shqetësim përmbajtjen e transmetuar gjatë emisionit investigativ “Stop”, ditën e hënë, datë 23.03.2026. Në kuadër të transparencës institucionale, KLP informon se ankesa e depozituar nga qytetarja i është përcjellë për trajtim dhe kompetencë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sipas të gjitha parashikimeve ligjore.
Lidhur me çështjet etike dhe disiplinore që përfshijnë anëtarët e Këshillit, neni 104, i ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, parashikon se çdo pretendim për shkelje disiplinore ndaj anëtarëve të KLP-së i nënshtrohet kompetencës ekskluzive të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe më tej Gjykatës Kushtetuese.
Në interes të informimit të drejtë të opinionit publik dhe medias, theksojmë se çështja është duke u verifikuar plotësisht nga institucionet kompetente, për zbardhjen e së vërtetës. Ndaj, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha institucionet, me qëllim trajtimin e kësaj çështjeje në mënyrë objektive, të paanshme dhe në përputhje me ligjin.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë garanton se përtej situatave të caktuara, do të vijojë përpjekjet për të ruajtur integritetin institucional në përmbushjen e standardeve të përgjegjshmërisë në ushtrimin e funksioneve publike.
