Rreth 1,000 ushtarë nga Divizioni i 82-të Ajror pritet të dislokohen në Lindjen e Mesme në ditët në vijim, në një lëvizje që sinjalizon rritjen e pranisë ushtarake të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rajon.
Lajmi është konfirmuar për Associated Press nga tre burime me njohuri mbi planet, ndërsa më herët Sky News dhe NBC News raportuan se vendosja është miratuar nga Donald Trump.
Divizioni i 82-të Ajror është një njësi elitare e këmbësorisë, e specializuar në operacione me parashutë dhe dislokim të shpejtë në zona konflikti, shpesh me njoftim të shkurtër. Vendosja e tyre konsiderohet si një sinjal i qartë i gatishmërisë për operacione të mundshme në terren.
Sipas raportimeve, një nga objektivat e mundshëm strategjikë është Ishulli Kharg, një pikë kyçe për eksportet e naftës së Iranit. Agjencia Associated Press raportoi se SHBA-të mund të konsiderojnë një operacion për kontrollin e këtij ishulli.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bombarduar më herët Ishulli Kharg, duke synuar sistemet mbrojtëse, ndërsa infrastruktura energjetike është lënë e paprekur.
Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar se mund të minojë ujërat e Gjirit Persik nëse percepton një ndërhyrje të drejtpërdrejtë tokësore nga forcat amerikane.
