Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka publikuar një video ku përballen dy qëndrime të kryeministrit Edi Rama, duke evidentuar tërheqjen e tij nga premtimi për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

Në videon e publikuar, Bardhi risjell një deklaratë të Ramës në mars 2025, pak para zgjedhjeve, ku kryeministri premtonte se shqiptarët do të përfitonin të drejta të plota si anëtarë të BE-së, përfshirë edhe të drejtën për të votuar dhe për t’u përfaqësuar në Parlamentin Europian.

“Me pasaportën e BE-së, çdo shqiptar dhe shqiptare do të fitojë të drejtën të votojë, edhe për Parlamentin Europian, gjithashtu. Ndërkohë që edhe Shqipëria do të jetë pjesë e zgjedhjeve europiane,” – është deklarata e Ramës në mars 2025.

Ndërsa në një qëndrim të shprehur pak ditë më parë, Edi Rama mban një linjë të kundërt, duke u tërhequr nga ky premtim.

“Pse duhet ne patjetër që, që në momentin e parë, të kemi edhe deputetët tanë në Parlamentin Europian? Apo se i mungojnë Parlamentit Europian druvarët, që duhet t’ia çojmë ne me shpejtësi?!” – u shpreh Rama pak ditë më parë në një konferencë për gazetarët, duke shpjeguar qëndrimin e tij të përbashkët me presidentin serb Aleksandër Vuçiç për heqjen dorë tani nga të drejtat e plota si vend anëtar.

Gazment Bardhi shprehet se ky ndryshim rrënjësor i qëndrimit në një kohë kaq të shkurtër, tregon sa shumë i ka mashtruar Rama shqiptarët para zgjedhjeve dhe sa i pabesueshëm është ai si kryeministër.

Madje, kreu i grupit parlamentar e ironizon Ramën duke përdorur shprehjen e tij për “noc rrokun”, për të theksuar se, sipas tij, me Ramën në krye të qeverisë, nuk mund të pritet asnjë rezultat pozitiv për integrimin europian.

Videoja është pjesë e një serie publikimesh, ku kreu i grupit parlamentar të PD synon të evidentojë atë që ai e cilëson si dështime të kryeministrit në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb