Rritja e çmimit të naftës në vend, e ndikuar nga tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, po reflektohet drejtpërdrejt në ekonominë shqiptare, ndërsa ekspertët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria.

I ftuar në studion e News24, eksperti i naftës Eduard Elezi deklaroi se barra fiskale mbi çmimin e karburantit në Shqipëri është pothuajse e barabartë me vetë koston e naftës.

Sipas tij, nëse një litër naftë kushton rreth 100 lekë, një tjetër pjesë e ngjashme përbëhet nga taksat, duke bërë që çmimi final për konsumatorin të arrijë aktualisht në rreth 220 lekë për litër.

Elezi theksoi se në këtë situatë shteti duhet të ndërhyjë me politika lehtësuese, duke ulur barrën fiskale dhe duke kthyer një pjesë të të ardhurave nga TVSH-ja në ekonomi.

“Duhet të ketë politika kompensimi. TVSH-ja që merret tepër duhet t’i rikthehet ekonomisë, pasi produktet e naftës ndikojnë drejtpërdrejt tek qytetarët”, u shpreh ai.

Eksperti nënvizoi se ndikimi i çmimit të naftës nuk kufizohet vetëm tek transporti, por shtrihet në shumë sektorë, përfshirë prodhimin e energjisë elektrike. Ai kujtoi se Shqipëria është një vend importues neto i energjisë, çka e bën edhe më të ndjeshme ndaj luhatjeve të tregut ndërkombëtar.

Sipas Elezit, rritja e kostove të energjisë mund të reflektohet në fund të vitit edhe në tarifat për konsumatorët, pasi Enti Rregullator i Energjisë është i detyruar të ndërhyjë në rast të rritjeve të ndjeshme të çmimeve.

Ai paralajmëroi se një skenar i tillë mund të materializohet në çdo moment, duke e bërë situatën aktuale një sfidë të afërt për ekonominë dhe qytetarët shqiptarë, nëse nuk merren masa të menjëhershme për të zbutur efektet e krizës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb