Pak ditë pas sulmit ndaj faqes së Kuvendit të Shqipërisë, grupi i hakerave Homeland Justice pretendon se ka goditur edhe Postën Shqiptare, duke thelluar shqetësimet për sigurinë kibernetike në vend.

Sipas një mesazhi të publikuar në aplikacionin Telegram, grupi deklaron se ka marrë në kontroll faqen dhe të dhënat e institucionit. Aktualisht, faqja zyrtare e Postës Shqiptare rezulton jashtë funksionit, ndërsa një sërë shërbimesh për qytetarët mund të jenë të rrezikuara.

Përmes Postës Shqiptare kryhen pagesa të rëndësishme, përfshirë gjobat e automjeteve dhe faturat e shërbimeve, çka e bën situatën edhe më shqetësuese për përdoruesit. Hakerët pretendojnë gjithashtu se kanë siguruar akses në të gjitha të dhënat e institucionit.

Në mesazhin e tyre, ata shprehen: “Posta Shqiptare u sulmua nga Patriotët e Homeland Justice për shkak të bashkëpunimit të saj të vazhdueshëm me muxhahedinët dhe lehtësimit të veprimtarive të tyre.” Më tej, ata hedhin akuza të forta ndaj institucionit, duke deklaruar se “zyrtarët e korruptuar të Postës Shqiptare janë kthyer në shërbëtorë të terroristëve të Kampit Ashraf 3 dhe nuk kanë më asnjë pavarësi në veprimet e tyre.”

Grupi paralajmëron gjithashtu për përshkallëzim të sulmeve në vijim. “Veprimet tona të ardhshme do të jenë më të forta, më goditëse dhe më të kushtueshme. Ne kemi në dorë faqen dhe të dhënat e Postës Shqiptare dhe nuk do t’ju lëmë”, thuhet në mesazh.

Img 20260325 Wa0016
Img 20260325 Wa0016

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb