Pentagoni po konsideron mundësinë e ridrejtimit të disa armëve të destinuara për Ukrainën drejt Lindjes së Mesme, për shkak të përdorimit të shpejtë të municioneve kritike nga ushtria amerikane në konfliktin me Iranin, raportoi Washington Post, duke cituar tre burime të njohura me çështjen. Një vendim përfundimtar ende nuk është marrë. Armët që mund të ridrejtohen përfshijnë sisteme mbrojtjeje ajrore të avancuara, të porositura përmes programit të NATO-s, ku vendet partnere blejnë pajisje amerikane për Kievin. Programi “Lista e Kërkesave të Prioritizuara për Ukrainën” (PURL) ka siguruar shumicën e pajisjeve kyçe, përfshirë raketat Patriot dhe municionin e sistemeve të tjera mbrojtëse.

Një zëdhënës i Pentagon tha se departamenti do të sigurojë që forcat amerikane dhe ato të aleatëve të kenë pajisjet e nevojshme, por nuk komentoi më tej mbi devijimin e mundshëm. Nga ana e saj, ambasadorja ukrainase në SHBA, Olga Stefanysyna, sqaroi se Kievi është në dijeni të situatës dhe po e kupton “periudhën e pasigurisë së konsiderueshme” për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.

Zyrtarë evropianë kanë shprehur shqetësim se sulmet amerikane ndaj Iranit mund të ngadalësojnë ose të ndikojnë në furnizimet për Ukrainën. Ndër municionet më të kërkuara janë sistemet mbrojtëse ajrore Patriot dhe THAAD, të cilat tashmë janë ridrejtuar nga Evropë dhe Azia Lindore drejt Komandës Qendrore të SHBA-së për operacionet në Lindjen e Mesme.

Burime pranë Pentagonit parashikojnë se dërgesat për Ukrainën përmes PURL do të vazhdojnë, por paketat e ardhshme mund të mos përfshijnë sisteme mbrojtjeje ajrore, për të mbushur rezervat amerikane dhe ato të aleatëve në Gjirin Persik. Çdo devijim i tillë kërkon njoftimin e ligjvënësve përkatës dhe mund të ndikojë në sasinë e armëve që arrijnë në Ukrainë në afat të shkurtër.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb