Një person është arrestuar dhe një tjetër është proceduar nga policia e Durrësit për posedim të lëndëve narkotike, të cilët dyshohet se do ta shisnin në qytet.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi edhe automjetin dhe celularin e të arrestuarve.
Materialet procedurale për të dy rastet iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës, si rezultat i punës hetimore të kryer për disa javë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, operacionin e koduar “Midnight”. Gjatë operacionit u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi:
-E. K., 36 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën atij, një sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë të ndarë në 60 doza, me qëllim shitjen. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas shiste Kokainë në qytetin e Durrësit.
Gjithashtu, gjatë operacionit u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, me një sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë, shtetasi B. O., 36 vjeç, banues në Durrës. Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale, nisi procedimi penal për këtë shtetas.
Materialet procedurale për këto dy raste iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””, thuhet në njoftimin e bluve.
