Njëzëri, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi të rrëzojë kërkesën e Evis Berberi, ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili kundërshtonte si të paligjshme masën e sigurisë “arrest me burg”. Ndërkohë, Gjykata nuk mori në shqyrtim pjesën që lidhet me papërdorshmërinë e të dhënave të nxjerra nga celularët e tij pas arrestimit, biseda të cilat shërbyen si indicie për nisjen e hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe kryebashkiakut të Shkodrës Benet Beci.

Pas shqyrtimit të çështjes në seancë mbi bazë dokumentesh, gjyqtarët kushtetues vlerësuan se vendimet e gjykatave më të ulëta, që caktuan ndaj Berberit masën shtrënguese të arrestit, janë marrë në përputhje me ligjin. Për këtë arsye, gjyqtarët theksuan se masa duhet të vijojë të mbetet në fuqi, çka do të thotë se Berberi do të gjykohet nën masën e arrestit për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Këto akuza lidhen me çështjen e parë penale ndaj tij, ku u zbulua se kontrollonte në mënyrë të tërthortë një kompani, të cilën e furnizonte me tendera nga institucionet që drejtonte.

Gjykata Kushtetuese, ndërkohë, nuk mori në konsideratë pretendimet e ish-kreut të ARRSH-së për të shpallur të pavlefshme bisedat e zbuluara në celularët e sekuestruar nga Byroja Kombëtare e Hetimit në banesën e tij, e cila u kontrollua menjëherë pas arrestimit në vitin 2024.

Kjo për shkak se ish-zyrtari nuk e kishte kundërshtuar këtë veprim të SPAK në rrugë gjyqësore, por e kishte ngritur si pretendim vetëm në kërkesën e paraqitur pranë Gjykatës Kushtetuese.

E vetmja mundësi që ai të ngrejë një pretendim të tillë është t’i drejtohet gjykatës së posaçme, duke kundërshtuar veprimin e SPAK dhe më pas, nëse është e nevojshme, ta çojë çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese.

Bisedat e zbuluara në celularët e Evis Berberit, që ai zhvillonte me ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, u përdorën si prova ndaj ish-zyrtares së lartë. Mbi bazën e këtyre bisedave, SPAK deklaron se arriti të zbardhë faktin se Balluku ka përcaktuar disa procedura tenderuese për rrugë me vlera miliona euro.

Për ish-numrin dy të qeverisë janë në fuqi dy masa sigurie: ndalim për të dalë jashtë vendit dhe pezullim nga ushtrimi i funksioneve. Ndërsa kërkesa e SPAK për leje për arrestimin e Ballukut u rrëzua nga mazhoranca socialiste me 82 vota.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb