Deputetja e Partia e Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar mbi çmimin e lartë të karburanteve në vend, duke theksuar se barra e rëndë fiskale është shkaku kryesor që nafta në Shqipëri mbetet ndër më të shtrenjtat në rajon.
Ajo kritikon ashpër politikat aktuale, duke e cilësuar Bordin e Transarencës si “bordi i vjedhjes” sndërsa ka kërkuar uljen e taksave si zgjidhjen e vetme për të lehtësuar qytetarët dhe ekonominë.
“Taksat janë arsyeja pse kemi naftën më të shtrenjtë në rajon.
Rreth 60% e çmimit të naftës në Shqipëri përbëhet nga taksat.
Ndaj, zgjidhja nuk janë bordet e vjedhjes, por ulja e taksave.
Të gjitha vendet e rajonit kanë marrë masa për të ulur këtë barrë, ndërsa në Shqipëri çmimi prej 214 lekësh për litër konsiderohet ende “i papërballueshëm”.
Për shkak të çmimit të naftës po rriten çmimet e të gjitha produkteve, nga buka, qumështi e djathi, etj. Gjithashtu po goditen bujqësia dhe transporti.
Partia e Lirisë ka prej 3 javësh që ka propozuar një zgjidhje përmes projektligjit për pezullimin e taksave të qarkullimit dhe karbonit.
Duhet vepruar menjëherë, sepse ekonomia po shkon drejt kolapsit.
Shikoni tabelën më poshtë për të kuptuar zhvatjen që u bëhet çdo ditë”, shkruan deputetja e PL.
Bordi i Transparencës ka sot vendosur uljen e çmimeve të shitjes me pakicë dhe shumicë të nënprodukteve të naftës, si pasojë e rënies së çmimeve në bursën Platts Mediteran. Sipas njoftimit zyrtar, benzina ka pësuar ulje me -3.35 $/ton dhe gazoili me -7.1 $/ton nga data 25.03.2026.
