Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e ditës së sotme, vendosi shpalljen pasuri kulturore të paluajtshme “Ansambël arkitektonik urban” të fshatit Lin (Pogradec).

Në vendim, thuhet se me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave vendosi deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme “Ansambël arkitektonik urban” të një zone në fshatin Lin, sipas hartës dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH).

Në vendim, përcaktohet edhe zona mbrojtëse te “Ansamblit arkitektonik urban” e fshatit Lin, sipas hartës dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Gjithashtu, në vendim u miratua plani për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave.

Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për publikimin e hartave të “Ansamblit arkitektonik urban” të fshatit Lin dhe zonës mbrojtëse në Gjeoportalin Kombëtar.

KM ngarkon Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me ligjin “Për kadastrën”, dhe me aktet nënligjore në fuqi.

Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Mjedisit dhe Bashkia Pogradec për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb