Deputeti i PS, Erion Braçe, ka reaguar ashpër pas vendimit të Bordit të Transparencës për përcaktimin e çmimeve tavan të karburanteve, ku nafta u vendos të shitet deri në 203 lekë/litër dhe benzina deri në 175 lekë/litër.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe theksoi se, si rezultat i këtij vendimi, çmimi i naftës është ulur me 11–14 lekë për litër, ndërsa ai i benzinës me 24–27 lekë për litër.

Ai ngriti gjithashtu shqetësime për atë që e cilësoi si “grabitje” në çmimin neto të naftës, pa përfshirë taksat, duke kërkuar më shumë transparencë mbi mënyrën e përcaktimit të çmimeve.

Reagimi i plotë:

Çmimet e reja: Nafta deri në 203 lekë për litër; Benzina deri në 175 lekë për litër;

I vendosi bordi tani! Pra: Çmimi i naftës u ul menjëherë me 11–14 lekë për litër; Çmimi i benzinës u ul me 24–27 lekë për litër.

Kam një pyetje: Çfarë ndodhi? Taksat nuk kanë ndryshuar, asnjëra; atëherë? E mbani mend ç’u thashë disa ditë më parë për çmimin neto të naftës – çmimin pa taksa të naftës? Ne kishim çmimin neto – pa taksa të naftës – më të lartë, më të shtrenjtin në rajon!

Pasi kjo u tha, Luixhi hodhi në sulm gjithë njerëzit e tij, madje edhe partitë rreth tij. Çfarë nuk thanë! Madje u rikthyen te premtimi i PS, të cilin unë e kam bërë të njohur dhe zbatuar për shtatë vite me radhë për naftën e bujqve pa akcizë – në fakt po jepet fals, pra pa lekë, jo pa akcizë.

Në çdo rast, pyetja që meriton transparencë është: Në këtë model mizerabel të tregut që kemi, mos valle na kanë grabitur aty tek çmimi neto – pa taksa – i naftës dhe benzinës?

Mos valle e gjithë narativa politike dhe mediatike, e mbështetur vetëm tek taksat, ka fshehur të vërtetën me çmimin neto – pa taksa – të naftës dhe benzinës dhe ka synuar ta mbyse këtë të vërtetë? Mu siç ka mbytur konkurrencën?!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb