Pjesa tjetër e Shqipërisë, Kosova, vë në jetë një mrekulli të vërtetë, me “Dardanët” që “fluturojnë” me spektakël në fazën finale të “play-off”, aty ku në “Fadil Vokrri” presin Turqinë me shpesën dhe objektivin të sigurojnë një biletë për në Botëror. Ndaj Sllovakisë, ekipi i Franco Fodës tregoi karakter dhe shumë klas duke “thyer” vendasit me “poker” golash. Atë që nuk po e bën dot politika e bëri pikërisht sporti, futbolli, me Sllovakinë që tashmë e njeh Kosovën, atë të futbollit.

Kjo transfertë nisi keq, me Kosovën që e gjeti veten në dizavantazh që në minutën e 6-të. Për të rikthyer dardanët në lojë mendoi Veldin Hoxha, me mesfushorin e Rubin Kazan që me një goditje fantastike nga jashtë zonës dërgoi topin në rrjetë duke barazuar shifrat në 1-1. Në Bratislavë u zhvillua një sfidë spektakolare, me raste pafund për shënim, me vendasit që goditën sërish në limitet e pjesës së parë duke realizuar golin e dytë.

Kosova zbriti e karikuar në fraksionin e dytë, ku në aksionin e parë, në topin e parë, Fisnik Asllani me një goditje fantastike me kokë barazoi shifrat në 2-2. Kosova nuk u mjaftuan me kaq, por në minutën e 60-të, Muslija ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi duke kaluar për herë të parë Kosovën në avantazh. Ekipi i Franco Fodës e menaxhoi në mënyrë të shkëlqyer këtë sfidë, luajtën pa frikë dhe në minutën e 72-të Hajrizi dërgoi shifrat në 4-2 pas një goditje të saktë brenda në zonë.

Foda dhe stafi i tij filluan duke menduar për ndeshjen e 31 marsit, duke kryer tre zëvendësime në fund, ndërsa Sllovakia në shtesë gjeti golin e tretë, por vetëm kaq, pa mundur të zbehin festën e madhe të Kosovës, me Dardanët që mbajnë të gjallë ëndërr Botëror ku në Prishtinë tani sfidojnë edhe Turqinë për të siguruar për herë të parë në histori një biletë për në Botëror.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb